Njohja e Palestinës ndez përplasjen mes Netanyahut dhe Albaneses
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shpërthyer me akuza të rënda ndaj homologut të tij australian, Anthony Albanese, duke e cilësuar si “politikan të dobët” që sipas tij ka “tradhtuar Izraelin dhe ka braktisur hebrenjtë e Australisë”.
Deklarata e Netanyahut, e bërë publike përmes rrjetit social X, vjen pasi Izraeli i anuloi vizat diplomatëve australianë në Autoritetin Palestinez. Ky veprim pason vendimin e Australisë për ta njohur shtetin palestinez dhe për anulimin e vizës së një ligjvënësi izraelit.
“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, shkroi Netanyahu.
Nga ana tjetër, kryeministri australian Anthony Albanese u shfaq i qetë përballë sulmeve verbale. Ai tha se e trajton me respekt çdo udhëheqës shteti dhe nuk i merr personale këto akuza.
“Nuk i marr personale këto gjëra, angazhohem me njerëz në mënyrë diplomatike. Ai ka thënë gjëra të ngjashme edhe për udhëheqës të tjerë”, deklaroi Albanese në një konferencë për media më 20 gusht.
Albanese sqaroi se e kishte njoftuar paraprakisht Netanyahun për vendimin e Australisë që të mbështesë krijimin e një shteti palestinez.
“I dhashë kryeministrit Netanyahu indikacione të qarta për qëndrimin e Australisë dhe e ftova të tregonte nëse ekzistonte ndonjë mundësi politike për zgjidhje.”
Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, e quajti vendimin e Izraelit për ndalim vizash “reagim të paarsyeshëm” dhe akuzoi Qeverinë e Netanyahut se po e shton izolimin e saj diplomatik.
Raportet mes dy vendeve janë acaruar pas vendimit të Australisë që, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, të votojë për njohjen e shtetit palestinez – një hap që edhe vende si Franca, Britania dhe Kanadaja kanë paralajmëruar se do ta ndërmarrin.
Netanyahu, ndërkohë, ka paralajmëruar se njohja e Palestinës është “shpërblim për terrorizmin e Hamasit”, duke iu referuar sulmit të 7 tetorit 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, ofensiva izraelite që pasoi ka shkaktuar mbi 62.000 viktima palestineze, duke shkaktuar krizë humanitare, urie dhe zhvendosjen e të gjithë popullsisë së Gazës. Izraeli mohon akuzat për gjenocid dhe krime lufte, ndërsa çështja tashmë është në shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
















