Përfundon faza hetimore e çështjes Negreira, Barcelona pret vendimin për gjykim
Pas më shumë se tre vitesh, çështja Negreira po hyn në fazën vendimtare të procesit gjyqësor. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, faza e mbledhjes së dëshmive dhe hetimeve është përmbyllur, pas deklaratave të fundit të ish-trajnerit të ekipit rezervë të Barcelonës, Gerard López, dhe ish-delegatit Toni Alonso.
Sipas raportimit të Que T’hi Jugues, Barcelonës i mbetet të dorëzojë disa dokumente financiare për të përfunduar zyrtarisht këtë fazë të procedurës.
Hapi i radhës i takon gjykatës, e cila duhet të vendosë nëse ekzistojnë bazat e mjaftueshme që çështja të kalojë në gjykim dhe, nëse po, cilat akuza do të shqyrtohen.
Kujtojmë se çështja lidhet me pagesat e bëra nga Barcelona ndaj José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, gjatë periudhës 2001–2018.
Barcelona ka këmbëngulur vazhdimisht se pagesat kishin të bënin me raporte dhe këshillime teknike për arbitrimin, duke mohuar çdo përpjekje për të ndikuar te gjyqtarët apo rezultatet e ndeshjeve.
Megjithatë, përfundimi i fazës hetimore nuk nënkupton pafajësi për Barcelonën. Vendimi nëse çështja do të shkojë në gjyq mbetet hapi i radhës.
Flaka











