Prindërit dhe familjet e viktimave të Koçanit marshojnë për të tetën herë, kërkojnë përgjegjësi
Prindërit, familjet dhe miqtë e viktimave në tragjedinë e tmerrshme në Koçan dolën sot për të tetën herë me radhë në një marsh protestues nëpër rrugët e qytetit, duke kërkuar përgjegjësi dhe veprime konkrete nga institucionet shtetërore, shkruan 360 Gradë.
Me dhimbje të thellë në zemër, ata u bënë thirrje opinionit publik të qëndrojë krah tyre, në mënyrë që një tragjedi e tillë të mos përsëritet më. Prindërit kërkuan hetim të plotë dhe ndjekje ligjore ndaj të gjithë përgjegjësve, duke vënë në pikëpyetje punën dhe kontrollin e institucioneve përkatëse.
Në mesazhin e tyre të drejtuar prokurorisë publike, ata thanë:
“46 të dyshuar mbeten ende pa u marrë në pyetje, ndërsa disa nga përgjegjësit kryesorë nuk janë thirrur fare. Objekti ‘Puls’ ka punuar ilegalisht, pa leje për ridedikim dhe me paga në dorë. A ka kryer inspektimet e duhura Inspektorati Shtetëror i Tregut, MPB-ja, DAP-ja dhe Komuna? Çfarë masa janë marrë për ankesat për zhurmën dhe sigurinë?”
Në konferencën e fundit për shtyp, ku kryeministri Hristijan Mickoski zbuloi një licencë të falsifikuar për klubin, familjarët pyetën se si ka mundur që klubi të punojë me dokumente false gjatë gjithë vitit, ndërsa institucionet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë.
Prindërit theksuan gjithashtu mungesën e kontrollit nga Drejtoria për të Ardhura Publike, e cila sipas tyre ka lejuar që ‘Puls’ të funksionojë me llogari të bllokuar, dhe akuzuan se janë penguar procedurat ligjore për mbylljen e klubit që në shtator 2024.
Në anën tjetër, familjarët kërkuan sqarime për mosveprimet e MPB-së, veçanërisht për mungesën e kontrollit për përdorimin e piroteknikës, praninë e minorenëve dhe shitjen e alkoolit në klub.
Nga ana e LSDM-së u ngritën akuza se shefi i SPB Shtip, Dejan Salltirovski, po mbrohet nga prokurori publik Lubomir Kocevski dhe kryeministri Mickoski, duke penguar hetimet.
Në tragjedinë e 16 marsit në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën humbën 62 persona, ndërsa 196 u lënduan, duke bërë një nga ngjarjet më tragjike në historinë e vendit.
















