Shqipëria drejt BE, Rama: Hakmarrja për të gjitha poshtërimet nga të huajt
Duke theksuar se “anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian kalon nga Tirana”, kryeministri Edi Rama deklaroi se finalizimi i një rrugëtimi kaq të rëndësishëm është mbi të gjitha çështje dinjiteti. Nuk la pa përmendur “hakmarrjen”, e cila sipas tij është përgjigja për të gjitha poshtërimet nga të huajt, por edhe vetëposhtërimet.
“Duke bërë të gjitha gjërat e duhura me kohën që kemi në dispozicion deri në ditën e anëtarësimit që është më afër se kurrë ndonjëherë. Dhe mos harroni një gjë për ne shqiptarët dhe Shqipërinë, anëtarësimi në atë familje është mbi të gjitha çështje dinjiteti. Dinjiteti që na u nëpërkëmb me dhjetëra e qindra vite, edhe për fajin tonë padiskutim! Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ai emri Albania aty, në tryezën e gjithë atyre që i kemi parë dikur me dylbi dhe që na kanë parë për kaq shumë kohë nga lart poshtë, është hakmarrja e çdo shqiptari që është patriot sot për të gjitha poshtërimet që na kanë bërë të huajt dhe për të gjitha vetëposhtërimet e të gjitha kohërave që na kanë bërë bufat e mutërit e kënetës ndër shekuj dhe që nga viti 1912. Kjo është e vërteta dhe duhet thënë me fjalët e gjuhës së bukur, të ëmbël dhe kuptimplotë shqipe”, tha Rama nga sheshi “Skënderbej”.
















