Taravari takon ambasadoren amerikane Nicole Varnes: SHBA-ja, partneri ynë kryesor strategjik
Arben Taravari ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes, në rezidencën e saj, ku është diskutuar për bashkëpunimin dhe të ardhmen e vendit.
Përmes një postimi, Taravari e ka cilësuar takimin si të shkëlqyer, duke riafirmuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
“SHBA-ja është partneri ynë kryesor strategjik”, ka theksuar Taravari.
Ai ka nënvizuar nevojën për një qasje të përbashkët politike dhe institucionale, e cila do të mundësonte tejkalimin e dallimeve dhe përqendrimin në objektivat e përbashkëta të shtetit.
“Bota ecën përpara dhe duhet të ecim edhe ne, bashkë si shtet. Na duhet një qasje që na bashkon në gjetjen e zgjidhjeve dhe në rrugën drejt integrimit evropian”, ka shkruar Taravari.
Sipas tij, diversiteti duhet të shihet si një mundësi për bashkim dhe jo si pengesë në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Diversiteti ynë duhet të jetë urë bashkimi. Është koha të afrohemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për të ardhmen e vendit”, ka theksuar ai.
Në fund të postimit, Taravari ka falënderuar ambasadoren amerikane për mikpritjen dhe bisedën, të cilën e ka cilësuar si të hapur dhe të sinqertë.
“Falënderoj znj. Varnes për mikpritjen dhe bisedën e hapur e të sinqertë”, ka përfunduar Taravari.










