Targa serbe në Zvërnec, mbërrijnë mbështetës nga Beogradi mes tensioneve dhe protestave
Pas protestave që kanë shënuar ditët e fundit zhvillimet në Zvërnec, sot në këtë zonë kanë mbërritur edhe mbështetës nga Beogradi.
Gazeta TemA ka publikuar pamje nga mbërritja e tyre me automjete me targa serbe, duke shtuar vëmendjen dhe debatet rreth situatës në terren.
Prania e tyre nuk ka kaluar pa u vënë re nga banorët lokalë, ndërsa zhvillimet në Zvërnec vazhdojnë të mbeten në fokus të opinionit publik, mes polemikave dhe reagimeve të shumta.
Ndërkohë, Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me protestën zhvilluar sot në zonën e Zvërnecit kundër projektit për ndërtimin e një resortit turistik.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla ka hedhur akuza se në protestë janë sjellë persona nga jashtë vendit, duke iu referuar pranisë së makinave me targa serbe dhe qytetarëve që, sipas tij, nuk janë banorë të zonës.
“Ja dhe ata që e ‘duan’ më shumë sesa ne Shqipërinë, i sollën protestuesit në Zvërnec. Po këto makinat me targa serbe dhe serbët pse duhet të jenë në protestë për Zvërnecin?!” , shkruan Balla në reagimin e tij.
Deklarata e tij vjen në ditën kur në zonën e Zvërnecit u zhvillua protesta kundër projektit turistik, i cili ka ngjallur debat publik për ndikimin e tij në mjedis dhe në zonën e mbrojtur. Gazeta Flaka

















