Trump i kishte kërkuar Jensen Huangut të luftonte për të mbajtur drejtimin e Nvidia-s
Sipas “The New York Times”, presidenti amerikan e kishte telefonuar drejtuesin e kompanisë dhe i kishte kërkuar të mos hiqte dorë nga pozita, pavarësisht polemikave për lidhjet e tij të pretenduara me një shtetase kineze.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka telefonuar të martën Jensen Huangun, duke i kërkuar të luftojë për ta ruajtur pozitën në krye të kompanisë teknologjike Nvidia, raportoi “The New York Times”, duke u mbështetur në dy burime të njohura me përmbajtjen e bisedës.
Sipas gazetës, të enjten Huangu u tërhoq nga funksioni i drejtorit ekzekutiv të kompanisë, në mes të një polemike që lidhet me pretendimet për lidhjet e tij me një biznesmene kineze, për të cilën shërbimet amerikane të inteligjencës dyshojnë se ka spiunuar për Pekinin.
Telefonata e Trumpit paraqitet si një tjetër dëshmi e mbështetjes që presidenti amerikan i ka dhënë Huangut, i cili është shndërruar në një nga aleatët e tij më të afërt në Silicon Valley dhe këshilltar të rëndësishëm për çështjet e inteligjencës artificiale.
Paralajmërimet që Trumpi i kishte marrë
Sipas “The New York Times”, Trumpi ishte paralajmëruar të paktën dy herë, fillimisht në fund të vitit të kaluar dhe më pas gjatë pranverës, për lidhjet e pretenduara të Huangut me shtetasen kineze. Megjithatë, në maj ai e kishte marrë drejtuesin e Nvidia-s me vete në një vizitë në Kinë.
Këshilltarët e Trumpit i kanë thënë gazetës se presidenti e konsideronte Nvidia-n një kompani “tepër të rëndësishme për të dështuar”. Ai, sipas raportimit, ishte gjithashtu i shqetësuar për pasojat që largimi i Huangut mund të kishte në tregjet financiare.
Nvidia ka rol kyç në zhvillimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale. Administrata amerikane synon që investimet në këtë sektor të kontribuojnë në forcimin e ekonomisë së SHBA-së dhe ruajtjen e epërsisë teknologjike ndaj Kinës.
Nvidia kërkon drejtues të ri
Të enjten, Nvidia njoftoi se Huangu tërhiqet menjëherë nga funksionet e drejtorit ekzekutiv, kryetarit dhe anëtarit të bordit drejtues.
Përkohësisht, detyrën e tij do ta marrë drejtoresha financiare, Colette Kress, ndërsa bordi i kompanisë pritet të zhvillojë procesin për gjetjen e një pasardhësi të përhershëm. Flaka











