Universiteti i Tetovës zgjeron bashkëpunimin me sektorin farmaceutik, pranon donacion pajisje moderne laboratorike
Universiteti i Tetovës ka nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi me kompanitë farmaceutike “Moja Apteka” dhe “Zegin Farm” nga Shkupi, me synim forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit universitar dhe sektorit profesional të farmacisë.
Marrëveshjet, të nënshkruara nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe drejtoresha e institucioneve farmaceutike, Viktorija Mehandzhiska, parashohin bashkëpunim në fushën e kërkimit shkencor, edukimit dhe aktiviteteve praktike.
Përmes këtij bashkëpunimi synohet avancimi i programeve studimore, realizimi i projekteve aplikative, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe organizimi i trajnimeve, konferencave e aktiviteteve të tjera shkencore.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, Universiteti i Tetovës ka pranuar edhe një donacion nga Fondacioni “Dr. Verica Mehandzhiska”, i cili përfshin një spektrofotometër modern UV-Vis Shimadzu UV1900i.
Pajisja do të përdoret nga studentët e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore për zhvillimin e punës praktike në kuadër të programit të Farmacisë, duke krijuar kushte më të avancuara për përgatitjen e tyre profesionale dhe shkencore.
Në ceremoninë e nënshkrimit dhe dorëzimit të donacionit morën pjesë përfaqësues të udhëheqësisë së universitetit dhe stafit akademik, ndër ta sekretari i përgjithshëm Adem Beadini, prorektori Salajdin Salihu dhe dekani Florim Idrizi.
Me këto marrëveshje dhe donacionin e pajisjes laboratorike, Universiteti i Tetovës synon të forcojë kapacitetet kërkimore dhe praktike të studentëve, si dhe të thellojë bashkëpunimin me sektorin farmaceutik.















