VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë
Afan Elezi nga VLEN-i ka deklaruar se studentët shqiptarë për herë të parë do të kenë mundësi ta japin provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Në një deklaratë për media të publikuar më 11 nëntor 2026, Elezi e cilësoi këtë si një ndryshim të rëndësishëm për gjeneratat e reja të juristëve shqiptarë, duke kritikuar njëkohësisht pushtetet e kaluara për moszgjidhjen e kësaj çështjeje.
Sipas Elezit, për 35 vjet pas pavarësimit të shtetit, studentët shqiptarë kanë studiuar në gjuhën shqipe, por janë detyruar që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën maqedonase.
“Për vite me radhë, studentët shqiptarë i kanë kryer studimet në gjuhën shqipe, por kur vinte momenti i provimit të jurisprudencës, detyroheshin ta jepnin atë në maqedonisht. Kjo ishte një pengesë që breza të tërë e kanë përjetuar, ndërsa pushtetet e kaluara nuk arritën ta zgjidhnin”, deklaroi Elezi.
Ai theksoi se mundësia për dhënien e provimit në shqip përbën një vendim me rëndësi të veçantë për studentët shqiptarë dhe një dëshmi të vullnetit politik për zgjidhjen e problemeve të trashëguara.
Në deklaratën e tij, Elezi iu drejtua edhe ish-ministrit të Drejtësisë dhe përfaqësuesit të BDI-së, Arbër Ademi, duke e pyetur se në cilën gjuhë e kishte dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2016.
“Arbër Ademi, para se të flisni për të drejtat e studentëve, a mund të na tregoni në çfarë gjuhe e keni dhënë ju provimin e jurisprudencës në vitin 2016?”, pyeti Elezi.
Ai vazhdoi kritikat ndaj Ademit, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e tij aktuale për gjuhën shqipe, përderisa, sipas Elezit, gjatë periudhës së pushtetit të kaluar, ministria e Drejtësisë ishte udhëhequr tetë herë nga përfaqësuesit e asaj strukture politike.
“Nëse edhe ju, si jurist shqiptar, jeni detyruar ta jepni provimin në maqedonisht, atëherë me çfarë të drejte sot dilni të flisni për patriotizëm dhe të mbani leksione për gjuhën shqipe, kur gjatë pushtetit tuaj 8 herë keni udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë?”, u shpreh ai.
Sipas Elezit, të drejtat e shqiptarëve nuk duhet të mbeten vetëm në nivel deklaratash politike, por duhet të përkthehen në vendime dhe zgjidhje konkrete institucionale.
“Për shqiptarët nuk mjaftojnë deklaratat dhe fjalimet. Ata presin që të drejtat e tyre të zbatohen në vendime konkrete”, theksoi përfaqësuesi i VLEN-it.
Në përfundim, Elezi tha se kjo është një nga çështjet që VLEN-i pretendon se po e zgjidh pas problemeve të trashëguara nga pushtetet e mëparshme.
“Me VLEN-in, gjeneratat e reja do të mësojnë në shqip dhe provimet profesionale do t’i japin në shqip, e jo si në kohën tuaj. Kjo është një mundësi që po hapet për herë të parë dhe një pengesë që po merr fund përfundimisht”, deklaroi Elezi.
Ai në fund uroi studentët shqiptarë, duke theksuar se e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe tashmë po merr rrugën e realizimit.











