VMRO-DPMNE: Alta Banka është likuide, qytetarët të mos shqetësohen për kursimet e tyre
Partia në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj opozitës, veçanërisht LSDM-së dhe liderit të saj, Venko Filipçe, duke i akuzuar për përhapje të panikut të pabazë lidhur me pretendimet për falimentimin e Alta Bankës.
Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM-ja për muaj të tërë e ka përdorur çështjen e Alta Bankës për përfitime të përditshme politike, duke e paraqitur investitorin Davor Macura si të dyshimtë. Megjithatë, partia në pushtet pretendon se hapat e parë dhe lejet për blerjen e aksioneve të bankës në Maqedoninë e Veriut janë ndërmarrë pikërisht gjatë qeverisjes së LSDM-së.
VMRO-DPMNE ka demantuar gjithashtu pretendimet se Alta Banka kishte pasur ndalim të veprimtarisë në Bashkimin Evropian. Sipas partisë, bëhet fjalë për një gjobë kundërvajtëse të shqiptuar nga rregullatori austriak dhe jo për ndalim të plotë të funksionimit të bankës.
Partia në pushtet thotë se qytetarët janë frikësuar pa arsye me skenarë për falimentimin e bankës dhe humbjen e kursimeve të tyre. Ajo siguron se banka është plotësisht likuide dhe se shteti do të mbrojë paratë e qytetarëve.
VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në se po shmang përgjegjësinë dhe se po e shtyn edhe mbikëqyrjen parlamentare për Alta Bankën, të cilën vetë opozita e kishte kërkuar.
“Ka kaluar koha e LSDM-së dhe BDI-së, kur bankat falimentonin, ndërsa qytetarët liheshin në mëshirë të fatit. Qytetarët të jenë të qetë, asnjë bankë nuk do të falimentojë përderisa Hristijan Mickoski është kryeministër dhe VMRO-DPMNE-ja është në pushtet”, thuhet në reagimin e partisë.
Deklaratat e VMRO-DPMNE-së janë pjesë e përplasjes politike mes pushtetit dhe opozitës lidhur me çështjen e Alta Bankës. Flaka














