Ministrja e Jashtme e Kosovës: Rusia po kryen sulm hibrid kundër nesh

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Maj, 2024 10:01

Ministrja e Jashtme e Kosovës: Rusia po kryen sulm hibrid kundër nesh

Faqja zyrtare e presidencës dhe qeverisë së Kosovës u godit nga një sulmi kibernetik rus. Në reagimin e hakerave përmendet një fjalim i ministrit të Mbrojtjes së Kosovës për mbështetje të mundshme ushtarake të Ukrainës.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë, se hakerat rusë kanë sulmuar faqet e institucioneve qendrore të Kosovës, të cilat gjatë ditës së martë nuk kanë qenë në funksion. Objektiv i sulmeve ishte faqja zyrtare e Presidencës së Kosovës dhe Kryeministrisë, të cilat më pas janë rikthyer në funksion. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, shkroi në platformën X, se “Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.

“Ukraina po mbrohet arsyeshëm kundër agresionit dhe gjenocidit rus dhe se ne e dimë prej gjenocidit të Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, shkroi Gërvalla, duke mos dhënë më shumë hollësi rreth sulmit kibernetik të hakerave rusë.

Maqedonci: Sulmi i hakerave si hakmarrje

Edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci, tha për mediumin publik se “sulmi kibernetik rus ndodhi pas deklaratave, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”. “Ky grup i hakerave rusë ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, tha Maqedonci pas një konference të mbrojtjes, “Defense 24”, që zhvilloi punimet në Poloni.

Në reagimin e hakerave rusë që u shfaq në faqet e institucioneve të Kosovës përmendet pikërisht fjalimi i ministrit Ejup Maqedonci në mbështetje të Ukrainës. “Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojnë më shumë për këtë…”, shkruhej në rusisht nga hakerat duke përmendur deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci.

Sulmet e fundit kibernetike ndaj institucioneve të Kosovës ndodhën në shtator të vitit të 2022, të cilat sipas qeverisë së Kosovës, origjinën e kishin jashtë vendit, duke mos dhënë hollësi të tjera. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për këtë sulm kibernetik kishte thënë se “aleatët e Rusisë përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Arrestim i dy personave me pasaporta ruse

Në vitin 2022 menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, Kosova u rreshtua krah vendeve perëndimore në përkrahje të Ukrainës, duke vendosur edhe disa sanksione kundër Rusisë, e cila është njëra prej mbështetëseve kryesore të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Policia e Kosovës ndërkaq, njoftoi se gjatë ditës së martë afër pikës kufitare në Jarinje në veri të Kosovës arrestoi dy persona me pasaporta të Rusisë që nuk kishin vizë për të hyrë në Kosovë. Sipas policisë “ata dyshohet se kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale”. Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se për dy personat e ndaluar ka ngritur aktakuzë me kërkesën për “dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale, kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

105
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Flaka
Botuar nga Flaka 8 Maj, 2024 10:01
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
105
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?