Vuçiqi i frikëson serbët me shembullin e Maqedonisë së Veriut gjatë qeverisjes së Zaevit, por hesht për thelbin e çështjes
Aleksandar Vuçiq, ish-presidenti i Serbisë, tani nga pozita opozitare, po përpiqet me çdo mënyrë dhe me çdo kusht ta diskreditojë fitoren e Listës Studentore, duke bërë paralele dhe krahasime që nuk kanë bazë, shkruan mediumi nga Serbia.
Në paraqitjet e tij përmes Instagramit dhe TikTokut, Vuçiq komentoi intervistën e Andreas von Beckerath, shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.
Ai pretendon se Von Beckerath ka thënë se pret që Lista Studentore t’i përmbushë premtimet që u ka dhënë qytetarëve. Sipas Vuçiqit, diplomati evropian nuk ka specifikuar se për cilat premtime bëhet fjalë, ndaj ai vetë i plotësoi këto boshllëqe me interpretimin e tij.
Sipas këtij interpretimi, bëhet fjalë për përafrimin e politikës së jashtme me Bashkimin Evropian, që sipas Vuçiqit nënkupton vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe për obligime të reja lidhur me Kosovën, që ai i paraqet si pranim të statusit ndërkombëtar të përcaktuar tashmë të Prishtinës.
Por Vuçiq nuk ndalet me kaq. Për t’i mbështetur interpretimet e tij, ai përmend edhe shembullin e Maqedonisë së Veriut, duke bërë krahasim me periudhën e qeverisjes së Zoran Zaevit.
“A ju kujton kjo diçka? A ju kujtohen lavdërimet e tilla për qeverinë e Zoran Zaevit dhe Marrëveshjen e Prespës? E ndryshuan emrin e shtetit, bënë gjithçka dhe në fund nuk arritën asgjë”, deklaroi Vuçiq. Gazeta Flaka











