Prokuroria në Beograd hap rast për kthimin e avionit të Air Serbia nga Moska, Vulin pretendon se është keqtrajtuar
Prokuroria e Tretë Themelore Publike në Beograd ka hapur një rast lidhur me incidentin e avionit të Air Serbia, i cili të martën në mbrëmje u kthye në Beograd gjatë fluturimit drejt Moskës. Në avion ndodhej edhe Aleksandar Vulin, kryetar i Lëvizjes së Socialistëve, i cili më vonë u deklarua nga Moska.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, policia të martën në orën 20:26 e kishte njoftuar prokurorin publik kujdestar se ishte dhënë urdhër për kthimin e fluturimit JU134, pasi nga incizimet e kamerave të sigurisë ishte konstatuar se një pasagjer kishte kaluar kontrollin e sigurisë i shoqëruar nga një zyrtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), pa iu nënshtruar kontrollit të detyrueshëm.
Në raportin zyrtar të policisë, të dorëzuar në Prokurori më 4 nëntor 2026, thuhet se gjatë kalimit të pasagjerit nëpër kontrollin e sigurisë ishte aktivizuar alarmi, por pavarësisht kësaj, nuk ishte kryer kontroll shtesë, transmeton Gazeta Flaka – Maqedoni.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur se ky detaj nuk i ishte komunikuar prokurorit kujdestar gjatë njoftimit fillestar për incidentin.
Pas pranimit të raportit, Prokuroria i ka urdhëruar policisë të sigurojë të gjithë dokumentacionin përkatës dhe incizimet nga kamerat e sigurisë, si dhe të marrë deklarata nga personat që mund të kenë informacione lidhur me rastin. Është hapur lëndë për të përcaktuar nëse veprimet e ndonjë personi përmbajnë elemente të veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Nga Prokuroria theksojnë se parregullsitë e mundshme gjatë zbatimit të procedurave të sigurisë në aeroport, si dhe përgjegjësia e personave të ngarkuar për to, janë në kompetencë të organeve dhe institucioneve të tjera përkatëse.
Vulin deklarohet nga Moska
Aleksandar Vulin dje u deklarua nga Moska, duke mohuar pretendimet se kishte ikur nga Serbia.
“Pas një nate të tërë keqtrajtimi nga autoritetet e reja – ja ku jam, megjithatë, në Moskë. Kjo ishte një natë”, deklaroi Vulin, duke shtuar se në Moskë do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit rus.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do t’u kërkojë autoriteteve ruse të tregojnë mirëkuptim ndaj Serbisë, duke iu referuar marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bisedimeve të ardhshme për çmimin e gazit.
Pse u kthye avioni?
Avioni i Air Serbia, në fluturimin JU134, ishte nisur të martën në mbrëmje nga aeroporti “Nikola Tesla” i Beogradit drejt Moskës, por më vonë mori urdhër për t’u kthyer. Sipas informacioneve të publikuara, avioni kishte hyrë tashmë thellë në hapësirën ajrore evropiane, në afërsi të kufirit mes Lituanisë dhe Bjellorusisë, kur u mor vendimi për kthimin e tij. Ai u ul në Beograd pak para orës 22:00.
Në mesin e pasagjerëve ishin edhe Dushan Bajatoviq, drejtor i kompanisë “Srbijagas”, dhe Nenad Popoviq, kryetar i Partisë Popullore Serbe.
Portali serb Nova.rs raportoi se pasagjeri që kishte aktivizuar alarmin gjatë kontrollit të sigurisë, por nuk i ishte nënshtruar kontrollit shtesë, ishte pikërisht Vulin. Megjithatë, Prokuroria në njoftimin e saj nuk e identifikoi pasagjerin.
Hetimet pritet të zbardhin të gjitha rrethanat lidhur me kontrollin e sigurisë dhe kthimin e avionit, si dhe përgjegjësinë e mundshme të personave të përfshirë. Gazeta Flaka











