Edhe 10 ditë, obligohemi për pajisja dimërore në automjete, ja cilat janë rregullat
Nga 15 nëntori deri më 15 mars është periudha gjatë së cilës automjetet në Maqedoninë e Veriut duhet të posedojnë pajisje dimërore, në përputhje me Rregulloren për pajisjet e detyrueshme të automjeteve për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion, njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas rregullave, për automjetet me masë të lejuar deri në 3.500 kilogramë, pajisje dimërore konsiderohen:
- Gomat dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash.
- Gomat verore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, nëse automjeti posedon zinxhirë bore me madhësi adekuate për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera përkatëse.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), kërkesat janë të ndryshme:
- Gomat dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 6 milimetrash.
- Gomat verore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, nëse automjeti posedon zinxhirë bore për rrotat tërheqëse.
Te automjetet 4×4 me tërheqje të përhershme, zinxhirët duhet të jenë së paku për boshtin e pasmë, ndërsa te ato me tërheqje të kyçshme, duhet të jenë për boshtin që është vazhdimisht aktiv.
Për automjetet me masë të lejuar mbi 3.500 kilogramë, pajisje dimërore konsiderohen gomat dimërore në rrotat tërheqëse, me thellësi minimale të profilit prej 6 milimetrash.
Lejohen edhe gomat verore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 4 milimetrash, nëse automjeti posedon zinxhirë bore me madhësi adekuate për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera përkatëse.
Autobusët dhe automjetet e rënda transportuese që, për arsye teknike, nuk mund të vendosin zinxhirë bore në rrotat tërheqëse, duhet të kenë goma dimërore në rrotat tërheqëse dhe një lopatë si pajisje ndihmëse.
Goma dimërore konsiderohen ato që në pjesën anësore kanë shenjat “MS”, “M+S”, “M&S” ose simbolin e flokut të borës në një mal të stilizuar me tri maja.
Sipas rregullores në fuqi, në komunikacionin rrugor është i ndaluar përdorimi i gomave me gozhda metalike.
MPB u bën apel qytetarëve që ta respektojnë detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore, me qëllim të sigurimit të qarkullimit të papenguar dhe të sigurt në rrugë gjatë kushteve dimërore. Gazeta Flaka











