„Radar“: BIA ka përgjuar studentë, profesorë, politikanë opozitarë dhe aktivistë në Serbi
Agjencia për Siguri dhe Informacion e Serbisë (BIA) ka kryer mbikëqyrje të fshehtë ndaj studentëve, profesorëve universitarë, politikanëve opozitarë, përfaqësuesve të sindikatave dhe aktivistëve, duke përdorur shërbimin e sigurisë për të ndjekur kritikët e pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.
Këtë e zbulon hulumtimi i mediumit serb „Radar“, i cili ka pasur qasje në disa vendime të Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilat janë refuzuar kërkesat e BIA-s për vazhdimin e masave të mbikëqyrjes së fshehtë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga „Radar“, kërkesat janë nënshkruar nga drejtori i BIA-s, Vladimir Orliq, ndërsa gjykata i ka refuzuar pasi ka konstatuar se agjencia nuk kishte paraqitur prova për dyshimet mbi të cilat i bazonte kërkesat për ndjekjen e personave konkretë. Në disa raste, kërkesat janë refuzuar që në fazën e parë të aplikimit për masa të posaçme.
Ndër personat që dyshohet se janë vënë nën mbikëqyrje janë Danilo Potpariq, shef i kabinetit të rektorit të Universitetit të Beogradit; Sërgjan Milivojeviq, kryetar i Partisë Demokratike; Aleksa Mijuca, përfaqësues i organizatës qytetare IT Blokada; Radomir Popoviq, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave të Serbisë; si dhe prokurori i Prokurorisë për Krim të Organizuar, Aleksandar Barac.
„Radar“ thekson se nga disa burime ka marrë informacione për një numër të madh kërkesash për mbikëqyrje që BIA ua kishte dërguar gjykatave në të gjithë Serbinë, si dhe për zbatimin e masave pa miratimin përkatës gjyqësor.
Sipas mediumit, në mesin e personave të ndjekur kishte edhe gazetarë, studentë, profesorë dhe aktivistë. Raportimi përmend gjithashtu përdorimin e softuerit spiun „Pegasus“, si dhe vendosjen e pajisjeve për përgjim në amfiteatrin e Fakultetit Juridik në Beograd.
Prokurori që heton rastin e shembjes së strehës në Novi Sad nën mbikëqyrje
Një nga rastet e zbuluara nga „Radar“ ka të bëjë me prokurorin Aleksandar Barac, i cili ishte përgjegjës për procedurën lidhur me shembjen e strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Sipas një dokumenti të BIA-s, të nënshkruar nga Orliq, Barac ishte vendosur nën masa të posaçme të mbikëqyrjes së fshehtë më 9 prill 2026. Komunikimet e tij ishin regjistruar në mënyrë të fshehtë, ndërsa masat përfshinin edhe mbikëqyrjen dhe regjistrimin e komunikimeve në vende publike, në hapësira me qasje të kufizuar dhe në ambiente të mbyllura.
Masat ishin vazhduar disa herë, për herë të fundit më 7 tetor. Por, pas zgjedhjeve të 29 tetorit, Orliq kishte dërguar kërkesë për ndërprerjen e tyre, duke theksuar se të dhënat e mbledhura nuk tregonin se Barac kishte marrë pjesë në ndonjë vepër penale të spiunazhit dhe se vazhdimi i mbikëqyrjes nuk do të sillte rezultatet e pritura.
„Radar“ rikujton se intervista me prokurorin Barac, në të cilën ai kishte folur për pengesat në hetimin e rastit të shembjes së strehës, ishte publikuar pikërisht më 9 prill, në ditën kur ndaj tij ishin vendosur masat.
Gjykata refuzoi vazhdimin e mbikëqyrjes ndaj shefit të kabinetit të rektorit
Dokumentet tregojnë se Danilo Potpariq ishte nën masa të mbikëqyrjes që nga janari i vitit 2026, të cilat ishin vazhduar disa herë, për herë të fundit në gusht. BIA kërkoi vazhdimin e tyre më 21 tetor, por Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën më 23 tetor.
Në arsyetimin e BIA-s, si të dyshimta ishin përmendur përdorimi i aplikacioneve të mbrojtura për komunikim, si dhe kontaktet e tij me profesorë dhe persona që mbështesnin lëvizjen studentore. Potpariq akuzohej gjithashtu se vepronte në interes të Gjermanisë, por pa u paraqitur prova për këto pretendime.
Gjykata konstatoi se nga raportet e dorëzuara nuk rezultonte se aktivitetet e tij ishin drejtuar kundër sigurisë së Serbisë.
Në një bisedë për „Radar“, Potpariq tha se nuk e befason fakti që persona nga Universiteti ishin bërë objekt i mbikëqyrjes, pasi pikërisht ky institucion kishte qenë një nga qendrat e rezistencës më të fortë ndaj pushtetit.
„Një gjë është të dyshoni se jeni nën mbikëqyrje, ndërsa krejt tjetër është të mësoni se për gati një vit ndaj jush janë zbatuar masa, me propozim të drejtorit të BIA-s dhe me miratim të Gjykatës së Lartë në Beograd, për shkak të dyshimeve për përgatitjen e veprave kundër rendit kushtetues dhe veprimit të pretenduar në interes të Republikës Federale të Gjermanisë“, deklaroi Potpariq, duke i hedhur poshtë kategorikisht akuzat.
Ai shtoi se ndjekja e takimeve dhe lëvizjeve të tij, përfshirë fotografimin e tij gjatë dërgimit të fëmijës në kopsht, përbënte një ndërhyrje serioze në privatësi.
Nën mbikëqyrje edhe kryetari i Partisë Demokratike
Nën mbikëqyrje të fshehtë ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sërgjan Milivojeviq. Masat ishin miratuar për herë të parë më 30 janar 2026 dhe ishin vazhduar disa herë.
BIA kërkoi vazhdimin e tyre më 24 tetor, një ditë para zgjedhjeve, por gjykata e refuzoi kërkesën më 29 tetor.
Në arsyetimin e agjencisë, si arsye për ndjekjen e tij ishin përmendur aktivitetet në mbështetje të protestave dhe lëvizjes studentore, si dhe kontaktet me aktivistë dhe organizata qytetare.
BIA iu referua edhe një trajnimi të pretenduar të Milivojeviqit në Segedin dhe Baltimore gjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, për të cilin pretendonte se ishte organizuar me mbështetjen amerikane, me qëllim rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Megjithatë, as për këto pretendime nuk ishin paraqitur prova, konstatoi gjykata.
Milivojeviq deklaroi për „Radar“ se shërbimet e sigurisë prej 14 vitesh shërbejnë për mbijetesën e pushtetit dhe jo për mbrojtjen e shtetit dhe qytetarëve.
Ai pretendoi se dy herë kishte gjetur pajisje GPS në automjetin e tij dhe se kishte marrë informacione se komunikimet dhe lëvizjet e tij po ndiqeshin.
BIA kërkoi vazhdimin e mbikëqyrjes edhe ndaj aktivistit të IT Blokada
BIA kishte kërkuar vazhdimin e mbikëqyrjes edhe ndaj Aleksa Mijucës nga organizata qytetare IT Blokada.
Në kërkesën e nënshkruar nga Orliq thuhej se ai kishte marrë pjesë në mbledhjen e mjeteve financiare për protestat studentore, kishte siguruar mbështetje logjistike dhe organizative dhe shpesh qëndronte jashtë vendit.
Sipas BIA-s, aktivitetet e tij mund të çonin në cenimin e rendit kushtetues dhe ndryshimin e dhunshëm të pushtetit. Gjykata e Lartë e refuzoi kërkesën për vazhdimin e masave më 28 tetor.
Mijuca deklaroi se organizata kishte punuar gjatë gjithë kohës në mënyrë ligjore dhe transparente dhe se vendimi i gjykatës konfirmonte se kërkesa e BIA-s ishte e pabazuar.
Ai vlerësoi se ndjekja e personave që punojnë në interes të shoqërisë nuk përbën mbrojtje të shtetit, por keqpërdorim të institucioneve kundër qytetarëve të vet.
Nën mbikëqyrje edhe kryetari i sindikatës së hekurudhave
Një rast i ngjashëm është edhe ai i kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Hekurudhave, Radomir Popoviq. BIA e kishte vendosur atë nën mbikëqyrje në janar të vitit 2026, ndërsa masat ishin vazhduar edhe në muajt në vijim.
Në kërkesën për vazhdimin e masave thuhej se Popoviq, për shkak të ndikimit te punonjësit dhe numrit të madh të anëtarëve të sindikatës, po shantazhonte institucionet shtetërore dhe drejtuesit e hekurudhave me greva dhe ndërprerje të punës.
BIA si të dyshimta i kishte cilësuar edhe kontaktet e tij me mediat e pavarura.
Popoviq deklaroi për „Radar“ se ishte ndjekur për shkak të denoncimit të parregullsive në funksionimin e hekurudhave dhe angazhimit për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Mbikëqyrje edhe ndaj kontakteve dhe personave të afërt
Hulumtimi i „Radar“ evidenton edhe një mënyrë më të gjerë të mbikëqyrjes, ku, sipas mediumit, në kërkesat për ndjekjen e një personi përfshiheshin numra telefoni dhe lokacione të lidhura edhe me persona të tjerë.
Në këtë mënyrë, përveç personit që ishte objekt i drejtpërdrejtë i mbikëqyrjes, ndiqeshin edhe kontaktet dhe njerëzit nga rrethi i tij.
Në disa raste, BIA i arsyetonte kërkesat me dyshimet për rrezikimin e rendit kushtetues dhe thirrje për ndryshim të dhunshëm të pushtetit, ndërsa në raste të tjera përdorte dyshimet për spiunazh, duke i paraqitur kontaktet me shtetas të huaj si aktivitete të dyshimta.
Sipas „Radar“, vendimet e Gjykatës së Lartë në Beograd tregojnë se për vazhdimin e masave nuk kishte prova konkrete për aktivitete kriminale nga personat që ishin vënë nën mbikëqyrje.
Mediumi vlerëson se përmasat e keqpërdorimeve të mundshme të BIA-s gjatë periudhës së qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) vetëm sa kanë filluar të zbulohen.
Si problem tjetër përmendet emërimi i vazhdueshëm i kuadrove partiake në krye të agjencisë, mes tyre Bratisllav Gashiq, Aleksandar Vulin dhe drejtori aktual Vladimir Orliq.
„Radar“ kishte publikuar edhe më herët dokumente të ngjashme, në të cilat dëshmohej se kishte pasur urdhra për mbikëqyrjen e kryeredaktores, dy gazetarëve dhe hapësirave të mediumit. Gazeta Flaka











