BDI: Numrat demantojnë VLEN-in, përfaqësimi shqiptar në Akademinë Ushtarake është cenuar
BDI ka reaguar ndaj qëndrimeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe zëvendësministrit lidhur me konkursin e fundit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake, duke akuzuar pushtetin se po përpiqet të arsyetojë dështimet në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Si dëshmi, partia përmend të dhënat e vitit 2012, kur nga 25 kadetë të pranuar, 12 ishin shqiptarë.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar reagimet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të zëvendësministrit lidhur me konkursin e fundit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake, duke vlerësuar se ato nuk mund t’i fshehin faktet dhe përgjegjësinë politike për gjendjen aktuale.
Sipas BDI-së, përpjekjet për të arsyetuar rezultatet e konkursit dhe për të mjegulluar opinionin publik nuk e ndryshojnë realitetin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
Partia shprehet se zëvendësministri nuk është i informuar sa duhet për zhvillimet aktuale dhe historikun e çështjes. Duke iu referuar periudhës kur Akademia Ushtarake nuk ka funksionuar, BDI thekson se kadetët shqiptarë janë shkolluar në Akademinë “Skënderbeu” në Tiranë, si dhe në akademitë ushtarake në Sofje dhe Ankara.
Për të mbështetur pretendimet e saj, BDI përmend vitin 2012, kur, sipas të dhënave të paraqitura nga partia, nga gjithsej 25 kadetë të pranuar, 12 ishin shqiptarë, 12 maqedonas dhe një boshnjak.
BDI kritikon edhe reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka theksuar se një kandidat është renditur në vendin e 43-të në listën e rangimit. Sipas partisë, ky argument dëshmon për, siç e cilëson ajo, cenimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat nga qeverisja aktuale.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se Ministria e Mbrojtjes, në frymën dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, është dashur të sigurojë pranimin e kandidatit në fjalë.
Partia kërkon që çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore të mos trajtohet vetëm përmes renditjes në konkurse, por edhe në përputhje me parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Reagimi i BDI-së vjen pas polemikave lidhur me rezultatet e konkursit të fundit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake. Gazeta Flaka










