Gratë përbëjnë mbi gjysmën e studiuesve në Maqedoninë e Veriut, por mbeten pakicë në sektorin e TI-së

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Nëntor, 2026 12:27

Gratë përbëjnë mbi gjysmën e studiuesve në Maqedoninë e Veriut, por mbeten pakicë në sektorin e TI-së

Rreth 70 për qind e të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë në vend janë gra, ndërsa në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit pjesëmarrja e tyre bie në rreth 33 për qind. Ky hendek gjinor dhe pengesat që ndikojnë në orientimin profesional të vajzave ishin në fokus të panelit “Kush e kodon të ardhmen? Vajzat në STEM”, të mbajtur në kampusin e FINKI-t në Shkup.

Gratë në Maqedoninë e Veriut përbëjnë më shumë se gjysmën e studiuesve dhe rreth 70 për qind të të diplomuarve në shkencat natyrore dhe matematikë. Megjithatë, përfaqësimi i tyre në sektorin e teknologjisë mbetet dukshëm më i ulët, ku përbëjnë rreth 33 për qind të të diplomuarve në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit dhe më pak se një të katërtën e fuqisë punëtore në sektorin e TI-së.

Këto dallime u diskutuan në panelin “Kush e kodon të ardhmen? Vajzat në STEM”, i organizuar në kampusin e Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI) në Shkup.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të fushatës “Vishe ndryshimin” (Wear the Change) dhe karavanit kombëtar, të iniciuar nga Europe House dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian. Diskutimi u përqendrua te pengesat sistemike dhe institucionale, stereotipat gjinorë dhe pabarazitë që ndikojnë në mundësitë e vajzave dhe grave për t’u arsimuar dhe për t’u zhvilluar profesionalisht në fushat STEM – shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Gjatë panelit u theksua se, pavarësisht përparimit në arsim dhe hulumtim, mbështetja e kufizuar, mungesa e modeleve të dukshme femërore dhe ndjenja se këto fusha nuk janë të përshtatshme për to vazhdojnë të ndikojnë në zgjedhjet e vajzave.

Në diskutim morën pjesë ambasadori i Suedisë, Ola Sohlström, Marijana Ilovska Zlatanovski, drejtoreshë ekzekutive për inovacione digjitale në Intertec.io dhe drejtoreshë për partneritete në Women in Tech North Macedonia, prof. dr. Ana Poçeva Panovska nga Fakulteti i Farmacisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM), si dhe prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive të Informacionit (FEIT). Diskutimin e moderoi Andrea Ugrinoska nga “Tiiiit! Inc.” – Shkup.

Arsimi dhe mundësitë për gratë

Prof. dr. Ana Poçeva Panovska foli për transformimin e profesionit të farmacisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në këtë fushë.

“Para më shumë se njëqind vjetësh, farmacia ishte profesion ku dominonin burrat. Sot, më shumë se 90 për qind e studentëve në fakultetin tonë janë vajza. Ky ndryshim tregon se çfarë ndodh kur grave u hapen mundësitë për arsimim dhe zhvillim profesional”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, Marijana Ilovska Zlatanovski u fokusua te rritja e numrit të grave në teknologji, por edhe te sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë në avancimin e tyre drejt pozitave udhëheqëse.

“Me kalimin e viteve, numri i grave në teknologji u rrit ndjeshëm, por më pas u shfaq një pyetje e re: çfarë bëjmë me gratë në pozita udhëheqëse në botën e teknologjisë? Gëzohem që sot po punojmë për t’i kapërcyer këto barriera dhe për t’i inkurajuar vajzat të marrin më shumë iniciativa. Padyshim që ka përparim, por ka ende shumë punë për të bërë”, tha Ilovska Zlatanovski.

Suedia si shembull i investimeve afatgjata

Ambasadori suedez, Ola Sohlström, theksoi se përparimi në fushat STEM kërkon investime afatgjata në arsim, hulumtim, inovacion dhe zhvillimin e të rinjve.

“Suksesi i Suedisë në STEM nuk ndodhi brenda natës. Ai është rezultat i investimeve ndër breza në arsim, hulumtim, inovacion dhe te njerëzit. Mesazhi im për vendimmarrësit në Maqedoninë e Veriut është të bëjnë të njëjtën gjë: të investojnë më shumë në arsim, në STEM dhe, mbi të gjitha, te të rinjtë”, deklaroi Sohlström.

Ai shtoi se e ardhmja e vendit dhe e rajonit varet edhe nga mundësitë që u ofrohen të rinjve për të zgjedhur rrugën e tyre arsimore dhe profesionale.

Nga ana tjetër, prof. dr. Nevenka Kiteva Rogleva, duke u mbështetur në përvojën e saj profesionale në fushën e energjetikës, theksoi se interesi, njohuritë dhe arsimimi janë më të rëndësishme se stereotipat gjinorë.

“Vij nga fusha e energjetikës, e cila tradicionalisht konsiderohet profesion për burra. Por, rruga ime profesionale tregon se interesi, njohuritë dhe baza e mirë arsimore janë shumë më të rëndësishme se stereotipat gjinorë. Mbështetja nga familja dhe mësimdhënësit është veçanërisht e rëndësishme që vajzat e reja të inkurajohen ta ndjekin interesin e tyre për shkencën dhe teknologjinë”, theksoi ajo.

Pas përfundimit të panelit, të pranishmit patën mundësi të parashtrojnë pyetje dhe të diskutojnë drejtpërdrejt me panelistët.

Në përfundim u theksua se mungesa e kushteve të barabarta për zhvillimin e potencialit të vajzave dhe grave nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe humbje për shoqërinë, e cila privon veten nga mundësitë për inovacion, perspektiva të reja dhe zgjidhje më efikase.

Diskutime të tilla synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për pengesat në fushat STEM dhe të kontribuojnë në zvogëlimin e hendekut gjinor në shkencë dhe teknologji. Gazeta Flaka

22

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Nëntor, 2026 12:27
Të drejtat autoriale dhe përdorimi i përmbajtjes Disa nga imazhet e publikuara në portal janë siguruar nga burime të ndryshme në internet dhe konsiderohen se i përkasin domenit publik. Në rast se ndonjë person ose subjekt pretendon të drejtën e pronësisë mbi to, Flaka Media është e gatshme të bëjë citimin përkatës të autorit ose, sipas kërkesës, ta largojë menjëherë imazhin nga portali. Marrja, kopjimi, riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i paautorizuar i teksteve, fotografive, videove dhe çdo përmbajtjeje tjetër autoriale që përbën pronësi intelektuale të Flaka Media, pa pëlqimin paraprak me shkrim të redaksisë, ndalohet rreptësisht. Çdo shkelje e të drejtave autoriale dhe të drejtave të përafërta do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Flaka Media rezervon të drejtën të kërkojë kompensim financiar për dëmin e shkaktuar dhe të ndërmarrë procedurat përkatëse ligjore ndaj shkelësve. Për çdo ripublikim ose shfrytëzim të përmbajtjes autoriale të Flaka Media, është i detyrueshëm sigurimi i pëlqimit paraprak me shkrim nga redaksia. Në rastet kur jepet leja për ripublikim, duhet të vendoset në mënyrë të qartë burimi dhe një lidhje aktive (link) që orienton lexuesit drejt artikullit origjinal në faqen zyrtare të Flaka Media. Përmbajtjet reklamuese dhe materialet e publikuara përmes platformës MGID nuk janë nën administrimin dhe përgjegjësinë editoriale të redaksisë së Flaka Media. Arkivi i portalit ruhet për një periudhë prej dy vjetësh nga data e publikimit të lajmit.
22

„Duke pasur parasysh protestat në shtetet e rajonit dhe të botës, a mendoni se edhe Maqedonia e Veriut do të përfshihet në këtë valë të protestave sociale?“