Huzeir Mustafi nga ASH: Maksim Dimitrievski, “patriot me bateri kineze”
Huzeir Mustafi nga Aleanca për Shqiptarët ka komentuar mundësinë e largimit të Maksim Dimitrievskit nga Qeveria, duke pretenduar se çështjen e provimit të jurisprudencës ai po e përdor për qëllime elektorale dhe për të ndërtuar imazhin e një patrioti.
Huzeir Mustafi nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kritikuar qëndrimet politike të Maksim Dimitrievskit, duke e cilësuar atë me një ironi si “patriot me bateri kineze”.
Sipas Mustafit, Dimitrievski mund të largohet nga Qeveria, pasi, siç pretendon ai, pret zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Mustafi vlerëson se çështja e provimit të jurisprudencës po përdoret nga Dimitrievski si temë për fushatë, me qëllim që të paraqitet para votuesve si “patriot i madh”.
“Por, patrioti i madh në fakt është patriot me bateri prej Kinës”, shprehet Mustafi.
Ai ironizon edhe alternativat që, sipas tij, Dimitrievski mund t’u ofrojë votuesve gjatë fushatës.
“Çfarë tjetër do t’u thoshte votuesve në fushatë? Do ta rikthejmë emrin e shtetit? Do t’ju sigurojmë transport publik falas? Do ta rregullojmë sheshin e qytetit?”, deklaron Mustafi.
Në vijim, ai pretendon se Dimitrievskit i kanë mbetur pak tema politike për t’i përdorur në fushatë dhe se përmes kësaj qasjeje synon të përmirësojë rejtingun e tij.
“Pra, të gjitha kartat e tjera i ka të djegura. Me këtë qasje tenton, sado pak, ta përmirësojë 1% të rejtingut, por kot e ka”, përfundon Mustafi.










