Editorial Flaka: Bërvenica, Alta Banka dhe Koçani: Tri sinjale alarmi për pushtetin! VIDEO
Editorial Flaka
Zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut po prodhojnë një realitet të ri: qeveria vazhdon të ketë shumicën parlamentare, por po humb terren në besimin politik dhe kontrollin mbi agjendën publike.
Bërvenica ishte sinjali i parë. Fitorja e Arkin Jahijit dhe AKI-së ndaj VMRO-DPMNE-së, pas daljes së VLEN-it nga gara në raundin e parë, dëshmoi se vota shqiptare nuk është pronë e askujt. BDI-ja tregoi se mund të mobilizojë elektoratin edhe nga opozita, VMRO-ja se pushteti nuk garanton fitore, ndërsa VLEN-i se pjesëmarrja në qeveri nuk është domosdoshmërisht kapital elektoral.
Por më domethënëse janë tensionet që pasuan. Reagimet e VMRO-së dhe replikat e eksponentëve të VLEN-it tregojnë se partneriteti qeveritar nuk është aq i harmonizuar sa paraqitet publikisht. Pyetja nuk është nëse qeveria ka numra, por sa besim ka brenda vetes.
Në këtë kontekst, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe përplasja me ZNAM-in janë një tjetër test për VLEN-in. Nëse edhe një e drejtë e shpallur si zotim politik përfundon në kompromis të pjesshëm, atëherë lind pyetja: sa është realisht ndikimi shqiptar në vendimmarrjen qeveritare? Paralajmërimet për dalje nga qeveria dhe replikat publike nuk e zëvendësojnë përgjegjësinë politike.
Procesi gjyqësor ndaj Artan Grubit po bëhet edhe një test për besueshmërinë e drejtësisë, por edhe për narrativën politike që për vite iu mvesh BDI-së si sinonim i korrupsionit. Provat dhe dëshmitë e paraqitura kanë ngritur pikëpyetje mbi bazën dhe qëndrueshmërinë e akuzave, duke dobësuar bindjen se fajësia mund të merret si e mirëqenë. Sigurisht, vendimin e jep gjykata, jo politika. Por një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: narrativa e përgjithësuar se BDI-ja është e barabartë me korrupsionin po humbet fuqinë, nëse akuzat nuk mbështeten me prova bindëse. Në fund, drejtësia duhet të gjykojë individët mbi fakte, jo partitë mbi etiketime politike.
Ndërkohë, zhvillimet rreth Alta Bankës në Manastir kanë rikthyer frikën nga përsëritja e skenarëve TAT dhe Eurostandard. Banka nuk është shpallur e falimentuar, por shqetësimi i depozituesve është real. Përballë kujtesës së Koçanit, ku 63 qytetarë humbën jetën në diskotekën Puls, qeveria përballet me një barrë edhe më të rëndë: përgjegjësinë për sigurinë, kontrollin dhe mbrojtjen e qytetarëve. Nëse Koçani u bë simbol i dështimit të mekanizmave të sigurisë, Manastiri rrezikon të bëhet simbol i tronditjes së besimit financiar.
Në këtë atmosferë, zërat për zgjedhje të parakohshme nuk janë të rastësishëm. VMRO-ja dhe BDI-ja tregojnë gatishmëri për një garë të re, ndërsa VLEN-i dhe LSDM-ja shfaqin rezerva. Secila palë duket se po llogarit jo vetëm interesin e vendit, por edhe çmimin elektoral të një përballjeje të re.
Politologu Robert Dahl na kujton se pushteti nuk matet vetëm me pozitat formale, por edhe me aftësinë për të ndikuar në vendimmarrje. Pikërisht këtu qëndron dobësia e mundshme e shumicës aktuale.
Bërvenica tregoi dobësimin elektoral, jurisprudenca kufijtë e kompromisit, Alta Banka brishtësinë e besimit financiar, ndërsa Koçani peshën e përgjegjësisë institucionale.
Maqedonia e Veriut nuk po përballet vetëm me turbulenca të një koalicioni, por me një krizë besimi. Zgjedhjet mund të shpallen me një vendim politik, por pushteti fillon të humbasë shumë më herët: në momentin kur qytetarët pushojnë së besuari në të.











