Kaos në trafikun ajror në SHBA: Mbi 910 fluturime të anuluara, dy avionë përplasen në aeroportin e Majamit
Kaosi në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon edhe sot, për shkak të problemeve teknike në sistemin e kontrollit të fluturimeve. Të paktën 910 fluturime janë anuluar, ndërsa numri i anulimeve vazhdon të rritet, sipas të dhënave të platformës për ndjekjen e trafikut ajror „FlightAware“.
Problemet zgjasin prej tri ditësh. Të shtunën u anuluan më shumë se 6.400 fluturime, ndërsa të premten, kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve në të gjitha aeroportet e vendit, u anuluan mbi 9.000 fluturime. Për shkak të defektit, avionët qëndruan të paktën katër orë në tokë.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi të shtunën se shkaku nuk ishte një sulm kibernetik, por një problem teknik gjatë zëvendësimit të kabllove të vjetra prej bakri me fibra optike në rrjetin e telekomunikacionit.
Sipas tij, pas instalimit të një ruteri të ri, sistemi i kontrollit të trafikut ajror u mbingarkua.
Duffy fajësoi kompaninë e telekomunikacionit „L3Harris“ për një gabim teknik, ndërsa hetimi pritet të përcaktojë nëse problemi erdhi si pasojë e gabimeve gjatë instalimit apo e pajisjeve me defekt.
Ndërkohë, administratori i FAA-së, Brian Bedford, tha se deri më tani nuk ka prova për aktivitet keqdashës apo ndonjë lidhje me inteligjencën artificiale. Ai shprehu pritshmërinë që sistemi të stabilizohet plotësisht deri në fund të fundjavës dhe kompanitë ajrore të rikthejnë oraret e rregullta të fluturimeve.
Situata ka nxitur edhe reagime politike. Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul, kërkoi dorëheqjen e sekretarit Duffy, ose shkarkimin e tij nga presidenti Donald Trump.
Ajo vlerësoi se problemet e përsëritura me sistemet e komunikimit dhe mungesa e kontrollorëve të trafikut ajror dëshmojnë për mangësi serioze në sistemin amerikan të aviacionit.
Hochul kërkoi gjithashtu që Kongresi të nisë një hetim për ndërprerjen e trafikut ajror. Sipas saj, të premten, kur ndodhi defekti, më shumë se 3.500 avionë ndodheshin tashmë në ajër, ndërsa mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar në aeroportet e vendit.
Përplasen dy avionë në aeroportin e Majamit, dy persona lëndohen
Në një tjetër incident ajror, një avion transportues mallrash i kompanisë amerikane UPS dhe një avion pasagjerësh i kompanisë panameze „Copa Airlines“ janë përplasur mbrëmjen e kaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit.
Nga incidenti, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, njoftoi shërbimi zjarrfikës i qytetit.
Bëhet fjalë për një avion të tipit „Boeing 767“ të UPS-it dhe një „Boeing 737“ të kompanisë „Copa Airlines“, transmeton CBS.
Dy personat e lënduar morën ndihmën e nevojshme mjekësore në vendngjarje, pa pasur nevojë për transportim në spital.
Pas përplasjes, avionët u ridrejtuan në pista të tjera të lëvizjes, por incidenti nuk ndikoi në funksionimin e rregullt të aeroportit.
Avioni transportues i UPS-it ishte planifikuar të fluturonte nga Majami drejt Bogotës së Kolumbisë, ndërsa avioni i „Copa Airlines“ kishte mbërritur nga Panama City. Flaka














