Në Hungari sekuestrohen miliarda para të gatshme, të fshehura në pyje dhe objekte të ndryshme
Zyra Kombëtare Hungareze për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH) ka publikuar një video të re, në të cilën shfaqet një sasi e madhe parash të gatshme të sekuestruara gjatë hetimeve ndaj Miklós Sesztákut, ish-ministër në qeverinë e Viktor Orbánit dhe anëtar i partisë Fidesz.
“Pas përfundimit të operacionit, përveç fotografive, u realizua edhe një video e shkurtër, në të cilën paraqiten mjetet financiare të vendosura në kasafortë: 5.071.632.000 forinta, 2.658.350 euro dhe 1.257.100 dollarë amerikanë”, njoftoi agjencia.
Një muaj e gjysmë pas ndalimit të Sesztákut, më 12 dhe 13 nëntor 2026, NVVH zhvilloi aksione të koordinuara hetimore në Budapest dhe në qarqet Pest, Békés dhe Nógrád.
Gjatë kontrolleve, hetuesit zbuluan para të gatshme në vlerë prej rreth 6 deri në 6,5 miliardë forintash, në valuta të ndryshme. Paratë ishin groposur në pyje, fshehur në objekte bujqësore e depo, si dhe në hapësira banimi. Një pjesë e tyre ishte ruajtur edhe në një kasafortë me siguri të lartë, në një lokacion të largët.
Mes shumave të sekuestruara, hetuesit gjetën edhe kartëmonedha prej 500 eurosh, një prerje që po bëhet gjithnjë e më e rrallë. Për shkak të përdorimit të shpeshtë në pastrimin e parave dhe krimin e organizuar, kjo kartëmonedhë dikur mori nofkën “Bin Laden”.
Banka Qendrore Evropiane ndaloi emetimin e kartëmonedhave prej 500 eurosh në vitin 2019, pikërisht për shkak të shqetësimeve se ato mund të lehtësonin aktivitetet kriminale. Një milion euro në këtë prerje peshon vetëm rreth 2,2 kilogramë dhe mund të transportohet në një çantë të vogël për laptop.
Megjithatë, kartëmonedhat prej 500 eurosh vazhdojnë të kenë vlerë dhe mbeten mjet ligjor pagese. Ato mund të këmbehen në bankat qendrore të vendeve të eurozonës pa kufizim kohor.
Si i zbuluan hetuesit vendet ku ishin fshehur paratë?
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur zyrtarisht se si kanë arritur t’i identifikojnë lokacionet ku ishte fshehur kjo shumë e madhe parash.
Avokati Botond Filep, i njohur edhe si “prokurori i fshatit”, publikoi në rrjetet sociale një supozim se njëri prej të dyshuarve mund të ketë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe të ketë zbuluar vendndodhjen e parave. Ai theksoi se një marrëveshje e tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se personi ka dhënë informacione vetëm për paratë e fshehura.
“Nëse arrestimi i një dite më parë ishte rezultat i një marrëveshjeje me Sesztákun ose me ndonjë të dyshuar tjetër – pra, i një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë – nuk është e sigurt se i vetmi detyrim i të dyshuarit ka qenë të zbulojë vendet ku ishin fshehur paratë”, shkroi Filep.
Ai shtoi se ekziston edhe mundësia që një person, i cili për çfarëdo arsye e dinte vendndodhjen e parave, të ketë dhënë dëshmi para autoriteteve.
Ndërkohë, avokati i Sesztákut, Gábor Pap, deklaroi për portalin informativ hungarez “Telex” se askush nuk ka pretenduar se paratë e gjetura i përkasin klientit të tij.
Ai theksoi se në këtë rast ka disa të dyshuar dhe se paratë e sekuestruara nuk i përkasin Sesztákut. Avokati refuzoi të japë më shumë hollësi, duke u arsyetuar se bëhet fjalë për informacione konfidenciale ndërmjet tij dhe klientit.
Reagimet politike në Hungari
Për sekuestrimin reagoi edhe partia Fidesz, e cila në një komunikatë të shkurtër shprehu shpresën se pamjet nuk kanë asnjë lidhje me ish-ministrin.
Nga kjo parti shtuan se koalicioni Fidesz-KDNP “nuk mund të lidhet me askënd që nuk i përmbahet betimit të tij”.
Ndërkaq, Péter Magyar e komentoi disa herë aksionin, duke vlerësuar se ai dëshmon edhe një herë se si “Orbán po shndërrohet nga politikan në bos mafioz”.
“Ndërsa çdo ditë shfaqen gjithnjë e më shumë dëshmi se si mafia e Orbánit e ka plaçkitur vendin tonë, partia Tisza ka përmbushur tashmë shumë nga premtimet e saj kryesore brenda vetëm gjashtë muajve. Po ecim përpara. Hap pas hapi”, deklaroi Magyar. Flaka














