Franca fiton grupin, Belgjika triumfon ndaj Italisë dhe e lë në vendin e tretë
Grupi, i konsideruar ndër më të vështirët në Ligën A të Ligës së Kombeve, mori epilogun sonte. Franca e përfundoi garën në vendin e parë me 13 pikë, e ndjekur nga Belgjika me 12 pikë. Italia, e cila para ndeshjeve të fundit ishte lidere e grupit, përfundoi në vendin e tretë me 10 pikë. Në fund të renditjes mbeti Turqia, pa asnjë pikë.
Në ndeshjet e fundit të grupit, Franca dhe Belgjika shfrytëzuan avantazhin e fushës vendase për të siguruar fitore.
Franca mposhti Turqinë me rezultat 2:1, ndërsa Belgjika triumfoi bindshëm 4:1 ndaj Italisë.
Ndeshja në Belgjikë nisi më mirë për italianët, të cilët kaluan në epërsi në minutën e 11-të me golin e Espositos. Megjithatë, vendasit reaguan fuqishëm dhe brenda një periudhe prej 15 minutash përmbysën rezultatin.
De Kuper, Ngoj dhe Doku shënuan për Belgjikën, duke e çuar rezultatin në 3:1 që në minutën e 26-të. Fitoren e vendasve e vulosi Moreira, me golin e realizuar në minutën e 80-të për rezultatin përfundimtar 4:1.
Ndërkohë, në duelin e zhvilluar në Bordo, të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Franca arriti epërsinë prej 2:0, ndërsa Turqia shënoi golin e nderit në minutat e fundit.
Kështu, Franca e mbyll grupin në krye, Belgjika siguron vendin e dytë, ndërsa Italia mbetet jashtë dy vendeve të para. Flaka














