Koçani nuk harron: Marshi i 51-të i engjëjve me kërkesën për drejtësi
Në Koçan, dje më 14 nëntor 2026, u mbajt për herë të 51-të “Marshi i engjëjve”, i organizuar nga familjet e viktimave të zjarrit në diskotekën “Pulse” dhe Shoqata e Qytetarëve “16 Mars 2025”.
Nën moton “Sa jetë të tjera duhet të shuhen që të ndërmerret diçka?”, prindërit, familjarët e viktimave dhe qytetarët marshuan sërish me kërkesën e pandryshuar për të vërtetën, përgjegjësi dhe drejtësi.
Tubimi nisi në orën 16:05 në Parkun e Revolucionit, prej nga pjesëmarrësit u drejtuan drejt Gjykatës Themelore në Koçan.
Prindërit e viktimave thanë se edhe për herë të 51-të po marshojnë me të njëjtën dhimbje dhe zbrazëti në zemrat e tyre, por edhe me vendosmërinë për të mos hequr dorë nga kërkesa për drejtësi.
Ata theksuan se marshi i sotëm nuk është vetëm për 63 engjëjt e tyre, por edhe për të gjitha viktimat e pafajshme të tragjedive që kanë tronditur Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, familjarët rikujtuan tragjedinë në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona, zjarrin në spitalin modular në Tetovë me 14 viktima, aksidentin e autobusit të “Besa Trans”, ku jetën e humbën 45 persona, si dhe zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, me 63 viktima.
“Prindër, ku jeni të marshoni me ne?”
Nga tubimi, përfaqësuesit e familjeve, mes tyre edhe prindi Dragi Stojanov, iu drejtuan prindërve të tjerë dhe bashkëqytetarëve me thirrje për më shumë solidaritet dhe mbështetje masive.
“Prindër, ku jeni të marshoni me ne?”, ishte mesazhi i familjeve, të cilat kërkuan që lufta për të vërtetën dhe drejtësinë të mos mbetet vetëm mbi supet e tyre.
Edhe pas marshit të 51-të, mesazhi nga Koçani mbetet i pandryshuar: familjet nuk do të heqin dorë nga kërkesa për të vërtetën, përgjegjësi dhe drejtësi për 63 viktimat e tragjedisë në diskotekën “Pulse”.














