Evropës po i mungojnë mësuesit, punonjësit shëndetësorë dhe specialistët e IT-së
Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhet një problem gjithnjë e më i madh në Evropë. Ndër profesionet për të cilat punëdhënësit e kanë më të vështirë të gjejnë staf janë mësuesit, punonjësit shëndetësorë dhe specialistët e teknologjisë së informacionit (IT). Në anën tjetër, punëtorët për punë të thjeshta fizike, përgatitjen e ushqimit dhe shitjen janë shumë më lehtë të disponueshëm.
Këto janë rezultatet e një hulumtimi të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili evidenton dallime të mëdha ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun evropian të punës.
Sipas analizës, e cila bazohet kryesisht në të dhënat e vitit 2024 dhe përfshin 27 vende evropiane, mësuesit janë kategoria më e vështirë për t’u gjetur. Pas tyre renditen punonjësit shëndetësorë dhe specialistët e IT-së.
Punonjës shëndetësorë mungojnë në 23 vende evropiane
Mungesa e personelit shëndetësor është evidentuar në 23 nga 27 vendet e analizuara. Mësuesit mungojnë në 21 shtete, ndërsa specialistët e IT-së në 18.
Mësuesit renditen ndër pesë profesionet më të vështira për t’u plotësuar në 13 vende, ndërsa punonjësit shëndetësorë dhe specialistët e IT-së në nga 12 shtete.
Përfaqësuesit e Federatës Evropiane të Shoqatave të Infermierëve paralajmërojnë se sistemet shëndetësore po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të tërhequr dhe mbajtur personelin mjekësor.
Si shkaqe kryesore përmenden numri i madh i pacientëve për një punonjës, kushtet e pasigurta të punës, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për avancim profesional.
Probleme të ngjashme përballin edhe mjekët, të cilët punojnë me orare më të gjata dhe ngarkesë të shtuar. Kjo situatë kontribuon në lodhjen profesionale dhe e bën më pak tërheqës ushtrimin e këtij profesioni.
Mungojnë mësuesit, rritet kërkesa për specialistë të IT-së
Problemi nuk kufizohet vetëm në sektorin e shëndetësisë. Sistemet arsimore në Evropë po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të gjetur dhe mbajtur mësuesit.
Përveç detyrimeve të shtuara administrative, mësuesit përballen edhe me kërkesa të reja që lidhen me digjitalizimin e mësimdhënies, si dhe me përgjegjësi shtesë për mirëqenien e nxënësve.
Ndërkohë, digjitalizimi i përshpejtuar po rrit nevojën për specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Megjithatë, situata ndryshon nga një vend në tjetrin. Në Danimarkë, Finlandë, Gjermani, Holandë, Norvegji dhe Suedi, oferta dhe kërkesa për specialistë të IT-së janë kryesisht të balancuara.
Në të kundërtën, Austria, Zvicra dhe Britania e Madhe shënojnë një tepricë relative të punëtorëve në këtë sektor.
Në cilat profesione gjendet më lehtë punëtorë?
Ndërsa shëndetësia, arsimi dhe sektori i IT-së përballen me mungesë të kuadrit profesional, punëdhënësit e kanë shumë më të lehtë të gjejnë punëtorë për punë të thjeshta fizike.
Sipas hulumtimit, punëtorët fizikë janë ndër kategoritë më lehtë të disponueshme në 21 nga vendet e analizuara. Personeli ndihmës për përgatitjen e ushqimit gjendet më lehtë në 17 shtete, ndërsa punëtorët për detyra të thjeshta në 16 vende.
Megjithatë, edhe në këto profesione ka dallime. Në Norvegji është më e vështirë të gjenden punëtorë fizikë, në Spanjë mungon personeli ndihmës për përgatitjen e ushqimit, ndërsa Franca shënon mungesën më të madhe relative të punëtorëve për detyra të thjeshta.
Rezultatet tregojnë se tregu evropian i punës po përballet me një paradoks: mungesë serioze të kuadrit të arsimuar dhe të kualifikuar në sektorët kyç, ndërkohë që punëtorët për disa profesione më pak të specializuara gjenden shumë më lehtë.
Flaka Media














