De Hauwer: BE-ja e pengoi Vuçiqin të niste një konflikt që mund të përfundonte me luftë civile
Bashkimi Evropian i ka bërë presion presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që gjatë natës së zgjedhjeve të tërhiqte ushtarët dhe policinë nga Parku Pionirski në Beograd, pasi ekzistonte frika se situata mund të përshkallëzohej deri në një luftë civile. Kështu pretendon ish-ambasadorja e Belgjikës në Serbi, Denise de Hauwer, në një intervistë për televizionin „Insajder“.
Ajo thekson se Brukseli nuk ishte vetëm vëzhgues i zhvillimeve në Serbi para zgjedhjeve të 25 tetorit dhe gjatë ditës së votimit, por e kishte ndjekur nga afër situatën dhe kishte ndërhyrë për të parandaluar një përplasje të mundshme.
„Pikërisht falë Bashkimit Evropian, Vuçiqi i tërhoqi ushtarët dhe policinë nga Parku Pionirski. Unioni ushtroi presion ndaj tij që të mos niste diçka që mund të përfundonte me luftë civile“, deklaroi De Hauwer.
Sipas saj, BE-ja e kishte ndjekur me kujdes situatën politike në Serbi edhe më herët, ndërsa pas fitores së listës studentore në zgjedhjet parlamentare, vendi ka mundësinë të hapë një kapitull të ri.
Ish-ambasadorja vlerëson se në këtë moment është më e rëndësishme të rikthehet funksionimi i institucioneve, të ruhet stabiliteti ekonomik dhe të mos lejohet që ndryshimet politike të shndërrohen në hakmarrje ndaj kundërshtarëve.
„Tani nuk është koha për hakmarrje apo përballje me kundërshtarët politikë, por për të punuar në reformat institucionale. Bashkimi Evropian është këtu dhe i gatshëm të ndihmojë“, tha ajo.
De Hauwer, e cila ka qenë ambasadore e Belgjikës në Beograd nga viti 2006 deri në vitin 2011, foli edhe për qëndrimin e Brukselit ndaj pushtetit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas saj, BE-ja për vite me radhë i ka dhënë përparësi stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, ndonjëherë duke anashkaluar problemet me funksionimin e institucioneve në Serbi.
Si një nga arsyet për këtë qasje, ajo përmendi lidhjet e afërta të SNS-së me Partinë Popullore Evropiane (EPP), pjesë e së cilës është edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
„Vuçiqi kishte lidhje të afërta me EPP-në në Bruksel, pasi SNS-ja vazhdon të jetë anëtare e asociuar. Kjo e mbronte atë. Ai manipulonte me popullin serb, por edhe me Bashkimin Evropian“, vlerësoi De Hauwer.
Ajo shpjegoi se kur presioni nga BE-ja bëhej më i fortë, Vuçiqi pranonte ndryshime të kufizuara ligjore për të dëshmuar se Serbia po përparonte drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, sipas saj, pas kthimit në vend, ai i dërgonte opinionit publik një mesazh krejtësisht tjetër, duke i paraqitur kërkesat evropiane si kushte që nuk ishin në interes të Serbisë.
Si një tjetër arsye për kujdesin e gjatë të Brukselit ndaj Beogradit, De Hauwer përmendi edhe çështjen e Kosovës.
Sipas saj, institucionet evropiane besonin se Vuçiqi ishte i vetmi politikan që mund të arrinte një marrëveshje për Kosovën, por ai në fund nuk arriti ta zgjidhte kontestin.
Ajo theksoi se BE-ja nuk i kërkon Serbisë njohjen formale të pavarësisë së Kosovës, duke rikujtuar se pesë vende anëtare të Unionit ende nuk e njohin pavarësinë e saj.
Një tjetër motiv për politikën e Brukselit, sipas ish-ambasadores, ka qenë frika se largimi i Serbisë nga BE-ja dhe humbja e mbështetjes financiare evropiane mund ta afronin edhe më shumë vendin me Rusinë dhe Kinën.
De Hauwer pretendon se BE-ja është investitori, donatori dhe partneri më i madh tregtar i Serbisë, por kontributi i Unionit nuk është prezantuar sa duhet para opinionit publik serb. Sipas saj, në media dhe në billborde më shpesh është promovuar ndihma nga Rusia dhe Kina, ndërsa mbështetja evropiane ka mbetur në hije.
Në fund, ish-ambasadorja shprehu shpresën se Serbia mund të hyjë në një periudhë më të mirë politike, ndërsa lëvdoi guximin dhe aftësinë organizative të lëvizjes studentore, e cila ka arritur të funksionojë pa një lider të vetëm qendror. Flaka Media














