Tre të arrestuar dhe 18 nën hetim pas protestës në Tiranë, mes tyre edhe një 15-vjeçar
Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë vënë nën hetim nga Policia e Tiranës, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytetin shqiptar.
Policia ka njoftuar gjithashtu vendosjen e 44 gjobave administrative. Dy prej tyre janë në vlerë prej 500 mijë lekësh të reja secila, ndërsa 42 të tjerat nga 5 mijë lekë.
Mes të arrestuarve është edhe një i mitur 15-vjeçar, ndaj të cilit rëndojnë disa akuza penale, përfshirë organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, shkatërrimin e pronës dhe mosbindjen ndaj urdhrave të policisë.
Protesta e fundit është karakterizuar nga pjesëmarrje më e ulët krahasuar me tubimet e të shtunave të mëparshme. Megjithatë, gjatë saj janë regjistruar disa incidente. Disa protestues u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave përpara Ministrisë së Arsimit, kanë bllokuar qarkullimin në zonat e Zogut të Zi dhe 21 Dhjetorit, ndërsa është tentuar edhe thyerja e derës së Kryesisë së Kuvendit.
Protestat në Tiranë kanë nisur më 13 tetor, fillimisht me studentët, të cilët kërkonin përmirësimin e kushteve në arsim dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Më pas, lëvizjes iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë.
Javët e para u shoqëruan me episode të shumta dhune, djegie dhe sulme ndaj institucioneve qeveritare, si dhe përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Pas këtyre zhvillimeve, qeveria hartoi një plan masash për ndëshkimin e pjesëmarrësve në tubimet e dhunshme.
Së fundmi, para Kryeministrisë janë mbledhur kryesisht grupe më të vogla qytetarësh, të cilët vazhdojnë të protestojnë kundër qeverisë. Ndërkohë, në organizimin e protestave është përfshirë edhe Partia Demokratike, e cila e ka cilësuar angazhimin e saj si mbështetje për kërkesat e studentëve.














