LSDM: Mиckосki e futi Alta Bankën në Maqedoni, tani po tenton ta mbulojë skandalin
Partia opozitare maqedonase LSDM akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në për mbrojtjen e Alta Bankës, duke pretenduar se hyrja e bankës serbe në Maqedoni është realizuar gjatë qeverisjes aktuale.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e LSDM-së, Maja Serafimovska-Borozan, deklaroi se derisa Davor Macura ndodhet në paraburgim në Serbi, nën dyshimet për nxjerrjen e afro 400 milionë eurove dhe shtypjen e kartëmonedhave të falsifikuara prej 500 eurosh, në Maqedoninë e Veriut VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski po e mbrojnë Alta Bankën.
Ajo kritikoi edhe disa komentues dhe analistë publikë, të cilët, sipas saj, po dalin në mbrojtje të bankës, duke e cilësuar atë si një instrument të dyshuar për pastrim parash.
Serafimovska-Borozan akuzoi pushtetin se po përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë te qeveria e kaluar, duke e lidhur LSDM-në me BDI-në dhe duke përdorur një dokument të Gazetës Zyrtare të qershorit 2023 si dëshmi për një marrëveshje të pretenduar me Alta Bankën.
Sipas saj, bëhet fjalë për një manipulim, pasi dokumenti lidhet me një pako prej 7.213 aksionesh, ose rreth 1,85 për qind të kapitalit të Stopanska Bankës në Manastir, të cilat shteti i kishte konfiskuar nga Sasho Mijallkov dhe kompania “Eksiko”, pas aktgjykimit të plotfuqishëm në rastin “Imperia”.
Ajo sqaroi se vendimi i 6 qershorit 2023 ishte vetëm një procedurë e zakonshme ligjore, përmes së cilës Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar kishte marrë pëlqimin për shitjen e aksioneve të sekuestruara, me qëllim që të ardhurat të derdheshin në buxhetin e shtetit.
Sipas LSDM-së, këto aksione nuk u shitën gjatë mandatit të qeverisë së atëhershme, ndërsa Alta Banka në atë periudhë nuk ishte e pranishme në Maqedoninë e Veriut.
“Hyrja e Alta Bankës serbe dhe marrja nën kontroll e Stopanska Bankës ndodhën në vjeshtën e vitit 2025, me vendim të Mickoskit dhe pushtetit të tij”, deklaroi Serafimovska-Borozan.
Ajo shtoi se paketa e konfiskuar e aksioneve iu shit Alta Bankës në janar të vitit 2026, për rreth 375.000 euro.
Zëdhënësja e LSDM-së pretendoi se guvernatori Trajko Sllaveski kishte dhënë lejen për hyrjen e bankës në tregun maqedonas, duke pranuar publikisht se këtë e kishte bërë në konsultim me kryeministrin Mickoski.
Sipas saj, edhe paratë e ndërmarrjeve publike dhe të qytetarëve kanë përfunduar në këtë bankë me vendim të qeverisë aktuale.
Serafimovska-Borozan paralajmëroi se LSDM-ja ka ngritur kallëzime penale kundër guvernatorit dhe të gjithë personave të përfshirë, duke kërkuar përgjegjësi për atë që e cilësoi si skandal financiar.
“Kur në Serbi po hapen hetimet, VMRO-DPMNE po përpiqet ta mbulojë skandalin. Kjo nuk do të kalojë. E vërteta po del në shesh dhe përgjegjësia do të vijë”, deklaroi ajo.
Në fund, përfaqësuesja e LSDM-së i ashpërsoi akuzat ndaj pushtetit, duke e lidhur çështjen e Alta Bankës me zhvillimet politike dhe financiare në Serbi.
Deklaratat dhe akuzat e mësipërme janë pretendime të LSDM-së, të paraqitura në konferencën për media. Gazeta Flaka














