LSDM: Një ditë ekonomia e tretë, ditën tjetër falimentimi – FMN-ja i rrëzon përrallat e Mickoskit
Partia opozitare maqedonase LSDM akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski për deklarata kontradiktore lidhur me gjendjen e ekonomisë së vendit, duke pretenduar se projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i rrëzojnë pretendimet e tij për sukses ekonomik.
Në një komunikatë për media, LSDM thekson se Mickoski një ditë flet për Maqedoninë si ekonominë e tretë në Evropë, ndërsa ditën tjetër paralajmëron rrezikun e falimentimit të shtetit në rast të zgjedhjeve.
“Një ditë mburret me rritjen ekonomike, ditën tjetër pranon se shteti nuk ka para. Deklaratat e tij kontradiktore e demaskojnë të gjithë propagandën qeveritare dhe gënjeshtrat e tij”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas projeksioneve të FMN-së, Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 41-të mes 48 ekonomive evropiane për nga BPV-ja për kokë banori, me 11.762 dollarë.
Nga vendet e rajonit, sipas LSDM-së, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria qëndrojnë më mirë se Maqedonia e Veriut, ndërsa dallimi me ekonomitë më të pasura evropiane mbetet i madh.
Opozita vlerëson se këto të dhëna pasqyrojnë gjendjen reale ekonomike të vendit, në kundërshtim me deklaratat e kryeministrit për rritjen e shpejtë ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor.
LSDM gjithashtu pretendon se gjatë dy viteve janë krijuar rreth katër miliardë euro borxhe të reja, ndërsa qytetarët po përballen me përkeqësim të standardit jetësor dhe paralajmërime për shtrenjtimin e ngrohjes qendrore dhe energjisë elektrike.
Partia opozitare kritikon edhe mungesën e rritjes së pagës minimale, duke e cilësuar si të pambajtur premtimin e pushtetit.
“Para në buxhet nuk ka, para për qytetarët nuk ka. Por e dimë se ku ka – te Mickoski dhe banda e tij”, thuhet në komunikatë.
Në fund, LSDM e lidh gjendjen ekonomike me çështjen e Alta Bankës dhe raportet e kryeministrit Mickoski me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke paralajmëruar se për të gjitha këto çështje do të ketë përgjegjësi.
Pretendimet dhe vlerësimet e paraqitura në këtë tekst janë qëndrime të LSDM-së. Flaka














