Ademi: BDI e paska detyruar VLEN-in për gjithçka, madje edhe për Alta Bankën serbe të Vuçiqit
Arbër Ademi ironizon deklaratat e VLEN-it ndaj opozitës: „Sot nuk u zhytën, por u mbytën!“
Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar me një deklaratë ironike ndaj qëndrimeve të VLEN-it dhe përpjekjeve të kësaj partie për t’ia atribuar BDI-së përgjegjësinë për zhvillimet politike dhe vendimet e qeverisë.
„U mbars mali, polli një mi!“, shkruan Ademi, duke iu referuar një pyetjeje të gazetarit maqedonas, për të cilën thotë se zbuloi kontradiktat në argumentimin e përfaqësuesve të pushtetit.
Sipas Ademit, ironia qëndron në faktin se, sipas logjikës së VLEN-it, BDI qenka përgjegjëse edhe për vendimet dhe veprimet e qeverisë aktuale.
Në listën e tij, Ademi përmend zgjedhjen e Stoiljkoviqit, ardhjen e Milorad Dodikut, parakalimin e ushtrisë serbe në vend, hyrjen e MTEL-it serb, përmendjen e „botës serbe“ në raportin evropian, si dhe çështjet e gjuhës shqipe, flamurit kombëtar dhe Marrëveshjes së Ohrit.
Ai përmend gjithashtu mosrealizimin e premtimeve për 10.000 euro për qytetarët, mosmbylljen e kazinove, bastoreve dhe kredive të shpejta, si dhe mosndryshimin e Kushtetutës dhe ngecjen në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
„Dhe, së fundmi, BDI e paska detyruar me sukses që ta nënshkruajë lejen për Alta Bankën serbe të Vuçiqit në Maqedoni“, thekson Ademi.
Akuza për shitjen e pronave të konfiskuara
Në pjesën përmbyllëse të reagimit, Ademi ngre edhe çështjen e shitjes së pasurive të konfiskuara në kuadër të rastit gjyqësor „Imperia“.
Ai pretendon se gjatë kohës kur BDI ishte në pushtet, shteti kishte marrë 20 milionë euro nga personat e akuzuar në këtë rast dhe se përmes Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar ishte vendosur që këto pasuri të nxirreshin në shitje.
Sipas tij, shitja është realizuar vetëm pasi VLEN-i erdhi në pushtet, duke e lidhur këtë zhvillim me hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas dhe nënshkrimin e Bujare Abazit.
„Sot nuk u zhytën, por u mbytën!“, përfundon Ademi reagimin e tij.
Deklaratat e deputetit përbëjnë qëndrimin politik të BDI-së, ndërsa pretendimet lidhur me procedurën e shitjes së pronave të konfiskuara dhe rolin e Bujare Abazit kërkojnë verifikim të mëtejshëm dokumentar.














