Selimi: U kapën me presh në dorë, tani nuk dinë as çfarë flasin! – Osmani: Pse deputetja e VLEN-it nuk dha përgjigje për Alta Bankën?
Përplasjet politike rreth çështjes së Alta Bankës kanë marrë një dimension të ri, pasi BDI ka publikuar dokumente nga Gazeta Zyrtare e 13 qershorit 2023, të cilat mbajnë nënshkrimin e zëvendëskryeministrit të atëhershëm, Artan Grubi. Bujar Osmani akuzon VLEN-in për manipulim me dokumentet dhe për përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë politike.
Analisti Sefer Selimi ka reaguar pas konferencës së sotme për media të deputetes së VLEN-it, Saranda Imeri Stafaj, e cila u përball me pyetje të gazetarëve lidhur me dokumentet që kanë të bëjnë me hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.
Selimi thotë se në vend që të japin përgjigje për dokumentet që mbajnë nënshkrimet e funksionarëve të tyre, përfaqësuesit e VLEN-it po përpiqen të ngatërrojnë dy çështje të ndryshme: shitjen e aksioneve shtetërore në kompani dhe procedurën për hyrjen e një banke të re në treg.
Sipas tij, dokumenti i publikuar nga pala qeveritare për shitjen e aksioneve të Stopanska Bankës në Manastir ka të bëjë me një proces të vitit 2023, ndërsa në të njëjtën mbledhje janë miratuar edhe vendime për shitjen e aksioneve të Halk Bankës dhe subjekteve të tjera.
“Pra, po ngatërrojnë qëllimisht shitjen e aksioneve që shteti i ka në pronësi me vendimet për hyrjen e një banke në treg. Ta përdhunojnë inteligjencën! Nuk mbulohet dielli me shosh, thotë populli. Edhe kopilin e Alta Bankës nuk e lini dot në derë të huaj!”, ka shkruar Selimi.
Çfarë tregojnë dokumentet e nënvizuara me të kuqe?
Dokumentet e publikuara janë pjesë e Gazetës Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, numër 123, të datës 13 qershor 2023, faqe 3. Ato përmbajnë katër vendime të Qeverisë, të miratuara më 6 qershor 2023, për dhënien e pëlqimit për shitjen e aksioneve në pronësi të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar.
Konkretisht, bëhet fjalë për:
- Vendimi nr. 41-3733/7 – shitja e aksioneve në shoqërinë për prodhim dhe tregti Vinariska Vizba, pronë e Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar.
- Vendimi nr. 41-3733/9 – shitja e aksioneve të Halk Bankës SHA Shkup.
- Vendimi nr. 41-3733/8 – shitja e aksioneve të Stopanska Bankës SHA Manastir.
- Vendimi nr. 41-3733/10 – shitja e aksioneve në shoqërinë aksionare UGOTUR, për organizimin e ushqimit, hotelerisë dhe turizmit, punëve agjencionale dhe tregtisë.

Në të katër vendimet thuhet se aksionet janë në pronësi të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar dhe se vendimet hyjnë në fuqi ditën pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Një element i përbashkët i dokumenteve është nënshkrimi i zëvendëskryeministrit të atëhershëm, Artan Grubi, në cilësinë e zëvendësuesit të kryetarit të Qeverisë.
Osmani: Problemi i tyre është se nuk mund ta mbajnë mend gënjeshtrën
Në këtë debat është përfshirë edhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i cili ka reaguar ndaj përgjigjes së deputetes Saranda Imeri Stafaj gjatë konferencës për media.
Sipas Osmanit, gazetari e ka pyetur përfaqësuesit e VLEN-it se, nëse BDI-ja ka gisht në çështjen e Alta Bankës, si shpjegohet që dokumentet që mundësuan ardhjen e bankës në vend mbajnë nënshkrimet e funksionarëve të tyre.
“Përgjigjja: ‘Nuk e di, do t’ju përgjigjem me shkrim.’ Këtu është problemi me gënjeshtrën. Kur gënjen, duhet ta mbash mend edhe që ke gënjyer, edhe çka ke gënjyer!”, ka deklaruar Osmani.
Ai e ka cilësuar çështjen e Alta Bankës si “fundin e turpshëm” të VLEN-it, duke e interpretuar reagimin e fundit të përfaqësuesve të këtij koalicioni si shenjë paniku politik.
Çështja që mbetet në qendër të debatit
Dokumentet e vitit 2023 dëshmojnë se Qeveria e atëhershme ka dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve shtetërore në disa subjekte, përfshirë Halk Bankën dhe Stopanska Bankën e Manastirit. Megjithatë, këto vendime, në përmbajtjen e tyre, kanë të bëjnë me shitjen e aksioneve të Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar dhe nuk përbëjnë vetvetiu vendim për licencimin apo hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar.
Pikërisht dallimi ndërmjet këtyre procedurave është bërë objekt i përplasjes së fundit politike, ku BDI dhe VLEN akuzojnë njëra-tjetrën për manipulim me dokumentet dhe shmangie të përgjegjësisë.
Ndërkohë, pyetja politike që kërkon përgjigje mbetet: cilat janë vendimet konkrete që mundësuan hyrjen e Alta Bankës në tregun e Maqedonisë së Veriut dhe cilët funksionarë i kanë nënshkruar ato? Gazeta Flaka














