Arrestohet pronari i “Informer”-it në Serbi, Aleksandar Vuçiq e konfirmon lajmin në Kuvend
Dragan J. Vuçiqeviq, pronar dhe kryeredaktor i tabloidit dhe televizionit serb “Informer”, medium që mbështet presidentin Aleksandar Vuçiq, është arrestuar sot në mëngjes me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore Publike në Beograd.
Sipas portalit “Nova.rs”, Vuçiqeviq dyshohet për shkaktim të panikut dhe çrregullimit të rendit publik përmes veprimeve të vazhdueshme, si dhe për pengim të drejtësisë.
Vetë “Informer” e ka publikuar lajmin për arrestimin e pronarit të tij, por deri më tani nuk ka dhënë detaje të tjera.
Vuçiq e bëri të ditur arrestimin në Kuvend, deputetët duartrokitën
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e njoftoi arrestimin gjatë një seance të Kuvendit Popullor të Serbisë.
“Dragan J. Vuçiqeviq, pronari i televizionit ‘Informer’, sapo është arrestuar”, deklaroi Vuçiq.
Deputetët e shumicës parlamentare reaguan me duartrokitje. Sipas raportimit të televizionit N1, kjo përgjigje e deputetëve e zemëroi presidentin serb.
Kallëzim penal nga 97 qytetarë, i dorëzuar dhjetë ditë më parë
Dhjetë ditë më parë, avokati Ivan S. Petroviq njoftoi se kishte dorëzuar një kallëzim penal kolektiv kundër Vuçiqeviqit, në emër të 97 qytetarëve serbë.
Në kallëzim, ndër të tjera, ai akuzohet për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, rrezikim të sigurisë publike, sjellje të dhunshme, si dhe shkaktim të panikut dhe çrregullimit të rendit publik.
Parashtruesit e kallëzimit pretendojnë se Vuçiqeviq, përmes emisioneve të tij, në mënyrë sistematike ka fyer kundërshtarët politikë, aktivistët, studentët dhe gazetarët, duke i quajtur “ustashë”, “fashistë” dhe “hiena”.
Ndër të tjera, në kallëzim thuhet se gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, Vuçiqeviq kishte nxitur policinë të përdorte dhunë, duke deklaruar: “Polici, rrihni, thyejuani brinjët”.
Për momentin nuk dihet nëse arrestimi i tij është i lidhur me kallëzimin penal të dorëzuar nga 97 qytetarët.
Flaka















