Letra e Ahmetit për gjuhën shqipe trazoi VLEN-in, përplasje politike dhe akuza të ndërsjella për provimin e jurisprudencës
Ali Ahmeti i drejtohet publikisht ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke kërkuar zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. VLEN e cilëson letrën si “pamflet propagandistik”, ndërsa BDI kundërpërgjigjet duke akuzuar koalicionin qeveritar se po relativizon të drejtat gjuhësore të shqiptarëve.
Çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, veçanërisht mundësia e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip, ka shkaktuar një përplasje të re politike ndërmjet BDI-së dhe VLEN-it. Debati u intensifikua pas letrës publike të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, në të cilën ai kërkon që institucionet të zbatojnë pa kufizime Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Ahmeti argumenton se e drejta për përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore është e garantuar me ligj dhe nuk mund të varet nga interpretimet apo vullneti politik i bartësve të pushtetit. Sipas tij, provimi i jurisprudencës duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa çdo zgjidhje që parashikon zhvillimin e tij vetëm pjesërisht në shqip përbën kufizim të një të drejte të fituar.
Në letrën e tij, kreu i BDI-së mbështetet në dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, veçanërisht në nenet 1, 2, 6 dhe 23, duke argumentuar se ato përcaktojnë qartë detyrimin e institucioneve për të mundësuar zhvillimin e procedurave në gjuhën zyrtare që e përdor qytetari.
Ai thekson se provimi i jurisprudencës është një vlerësim i njohurive profesionale juridike dhe jo test për njohjen e gjuhës maqedonase. Në këtë kontekst, Ahmeti kundërshton mundësinë që studentët shqiptarë të vendosen në pozitë të pabarabartë për shkak të gjuhës në të cilën kanë ndjekur studimet.
Ahmeti paralajmëron për një zgjidhje të pjesshme para Komisionit të Venecias
Një nga pjesët më të ndjeshme të letrës lidhet me atë që Ahmeti e paraqet si përpjekje të Qeverisë për të prezantuar para Komisionit të Venecias një zgjidhje kompromisi, sipas së cilës provimi i jurisprudencës do të zhvillohej pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase.
Duke iu referuar informacioneve që thotë se posedon për takime koordinuese në Ministrinë e Drejtësisë, ku përfshihen edhe Inspektorati dhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve, Ahmeti vlerëson se një zgjidhje e tillë nuk do të përbënte përparim, por prapakthim në të drejtat gjuhësore.
“Një zgjidhje e tillë nuk është hap përpara. Ajo është prapakthim, degradim i një të drejte të fituar dhe, nëse paraqitet si avancim i të drejtave gjuhësore, përbën akt tradhtie ndaj shqiptarëve dhe ndaj vetë Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thekson Ahmeti.
Ai kërkon që Komisionit të Venecias t’i prezantohet gjendja e plotë juridike, dispozitat konkrete të ligjit dhe konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, e jo një zgjidhje politike e paraqitur si avancim institucional.
Kreu i BDI-së përmend edhe konstatimet e Inspektoratit, i cili, sipas tij, ka evidentuar shkelje të ligjit nga Ministria e Drejtësisë lidhur me kërkesat e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe.
Ahmeti e lidh këtë çështje edhe me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për dobësimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve prek drejtpërdrejt të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe marrëveshjen politike e kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar funksionimi i shtetit.
Në fund të letrës, ai u bën thirrje ministrit Shasivari dhe Qeverisë që të heqin dorë nga çdo iniciativë që, sipas tij, kufizon të drejtat gjuhësore. Njëkohësisht, u drejtohet edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, si dhe autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë, duke kërkuar vëmendje për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit.
VLEN: Letra e Ahmetit është “pamflet propagandistik”
Reagimi i VLEN-it erdhi me tone të ashpra. Koalicioni qeveritar e cilësoi letrën e Ahmetit si “pamflet propagandistik”, duke e akuzuar atë për paraqitje të një realiteti të shtrembëruar dhe shmangie të përgjegjësisë politike për mënyrën se si është rregulluar përdorimi i gjuhës shqipe gjatë qeverisjes së BDI-së.
VLEN riktheu në vëmendje vitet 2008, 2011 dhe 2018, duke pretenduar se gjatë tre mandateve të BDI-së në pushtet janë miratuar tri ligje të ndryshme për përdorimin e gjuhës shqipe, por pa u arritur barazia e plotë institucionale me gjuhën maqedonase.
“Ju asnjëherë nuk arritët që ta bëni gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me gjuhën maqedonase në formë institucionale”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Si fusha ku, sipas tyre, vazhdojnë të ekzistojnë mangësi, përmenden jurisprudenca, sektori bankar, ushtria, policia dhe institucionet shëndetësore, si dhe veprimtaria e avokatëve, noterëve dhe përmbaruesve.
VLEN pretendon se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2019, nuk e ka garantuar zbatimin e detyrueshëm të shqipes në të gjitha institucionet, por ka lënë hapësirë për zbatim vullnetar.
Në kundërpërgjigjen ndaj Ahmetit, VLEN ngre edhe çështjen e praktikës gjyqësore, duke pyetur se përse bashkëpunëtorët e tij që përballen me akuza për keqpërdorim të pozitës flasin maqedonisht gjatë seancave gjyqësore, nëse shqipja ka status zyrtar edhe në procedurat gjyqësore.
Me këtë reagim, VLEN e zhvendos debatin te përgjegjësia e BDI-së për rezultatet e ligjeve të miratuara gjatë kohës kur ishte në pushtet, duke e akuzuar ish-partinë qeverisëse për mungesë të vetëkritikës dhe përdorim politik të çështjes së gjuhës shqipe.
BDI kundërpërgjigjet: VLEN nuk dha asnjë argument juridik
Pas reagimit të VLEN-it, BDI doli me një kundërpërgjigje tjetër, duke pretenduar se kumtesa e koalicionit qeveritar nuk përmban asnjë përgjigje konkrete ndaj argumenteve juridike të paraqitura nga Ali Ahmeti.
“Kumtesa e VLEN-it nuk përmban asnjë përgjigje të vetme ndaj argumenteve juridike dhe fakteve të paraqitura në letrën e kryetarit Ali Ahmeti. Asnjë kundërshtim konkret, asnjë dispozitë ligjore dhe asnjë argument që do të rrëzonte qëndrimet e tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti vlerësojnë se reagimi i VLEN-it është politik dhe pa përmbajtje juridike, duke pretenduar se ai duket të jetë përgatitur në qendrën e VMRO-DPMNE-së.
BDI rikujton se përfaqësuesit e VLEN-it, para se të vinin në pushtet, deklaronin se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe madje pretendonin se pikërisht ata e kishin bërë të tillë. Sipas BDI-së, qëndrimet e tyre të sotme janë në kundërshtim me deklaratat e mëparshme.
Një nga pikat ku BDI kërkon përgjigje nga VLEN-i janë edhe konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Edhe më domethënës është fakti se VLEN nuk thotë asnjë fjalë për konstatimet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat përputhen me argumentet e Ali Ahmetit”, theksohet në reagim.
BDI insiston se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve duhet të zbatohet në të gjitha fushat që mbulon, përfshirë edhe provimet profesionale shtetërore, ndërsa qëndrimet e VLEN-it i cilëson si kontradiktore.
“Gjuha shqipe nuk mbrohet me deklarata politike dhe me arsyetime për pafuqinë e pushtetit. Ajo mbrohet duke zbatuar ligjin dhe duke garantuar të drejtat që ai i përcakton”, përfundon reagimi i BDI-së.
Përplasja e fundit tregon se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është shndërruar në një tjetër front të debatit politik mes BDI-së dhe VLEN-it. Përtej akuzave të ndërsjella, në qendër mbetet një çështje konkrete: si do të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe nëse studentëve shqiptarë do t’u mundësohet dhënia e provimit profesional në gjuhën shqipe, ashtu siç kërkojnë ata dhe siç interpretohet ligji nga BDI-ja.
Sefer Selimi: A ishte letra e Ahmetit mesazh paralajmërues për Mickoskin dhe përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri?
Analisti politik Sefer Selimi ngre pyetjen nëse letra e hapur e Ali Ahmetit drejtuar ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, përmban edhe një mesazh politik paralajmërues përtej debatit juridik. Sipas kësaj perspektive, përmes letrës, Ahmeti mund t’i jetë drejtuar jo vetëm ministrit, por edhe kryeministrit Hristijan Mickoski dhe përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, duke sinjalizuar se çështja e gjuhës shqipe mbetet një vijë e rëndësishme politike dhe se çdo hap që perceptohet si cenim i të drejtave gjuhësore mund të sjellë pasoja në raportet politike brenda koalicionit qeverisës.
Gazeta Flaka















