Juventus merr vendimin për Chiesën
Ishte përfolur prej ditësh, por tashmë zërat gjejnë edhe miratimin që vjen nga drejtuesit e Juventus. Federico Chiesa është në merkato, me klubin bardhezi që është në pritje të një oferte për t’u ndarë kështu pas dy vitesh me 26-vjeçarin.
Problemet e shumta fizike nuk e lejuan Chiesën të shprehë potencialin e plotë te torinezët, teksa një shtysë më shumë për ta nxjerrë lojtarin në merkato erdhi edhe nga trajneri i ri, Thiago Motta.
Ky i fundit, nuk e sheh sulmuesin anësor të përshtatshëm për futbollin e tij dhe më e mira për palët është ajo që të mbyllin bashkëpunimin që këtë verë, edhe pse ka mbetur edhe një vit kontratë.
Për Chiesën ka interes nga Roma dhe Napoli, ndërsa disi më i tërhequr është Manchester United. Megjithatë, në ditët në vijim do të mësohet më shumë rreth së ardhmes së italianit.