Durmishi – Ulusoj: Do të krijojmë kushte për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Gusht, 2024 19:55

Durmishi – Ulusoj: Do të krijojmë kushte për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi është takuar sot me ambasadorin turk, Fatih Ulusoj,  me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e tij në periudhën e ardhshme.

Siç informuan nga Ministria e Ekonomisë, Durmishi e ka falënderuar Republikën e Turqisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë që nga pavarësia, e deri më sot.

“Republika e Turqisë është ndër partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe një vend që vazhdimisht investon në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm si partner strategjik investues. Të dhënat e shkëmbimit tregtar tregojnë se Republika e Turqisë vitin e kaluar është renditur në vendin e 7-të në listën e vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar. Shpresoj që në periudhën e ardhshme ky bashkëpunim të thellohet në mënyrë plotësuese”, tha ministri Durmishi në takimin.

Siç theksoi ministri, Ministria e Ekonomisë dhe Punës në periudhën e ardhshme do të përqendrohet në mbështetjen e kompanive vendore, por edhe të huaja që punojnë në vend, si dhe mbështetjen dhe zhvillimin e tregut të punës, si kompetencë e re që do ta marrim përsipër.

“Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe unë si ministër do të punojmë në periudhën e ardhshme në krijimin e kushteve për intensifikimin e bashkëpunimit mes bizneseve nga të dyja shtetet, me qëllim të rritjes së shkëmbimit tregtar”, tha ministri Durmishi. 

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Gusht, 2024 19:55