Kosova e dërgon në paraburgim shtetasin e Maqedonisë – u kap me mbi 6 kilogram lëndë narkotike

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Gusht, 2024 19:28

Kosova e dërgon në paraburgim shtetasin e Maqedonisë – u kap me mbi 6 kilogram lëndë narkotike

Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Ferizaj shtetasit të Maqedonisë së Veriut i cili akuzohet për transportim të paligjshëm të 6 kilogramëve heroinë.

U.B. dhe M.Sh. heroinën e kishin transportuar përmes kufirit në Han të Elezit, teksa I.M. i kishte pritur në një parking bashkë me një agjent të Policisë i cili ishte duke realizuar masat e veçanta hetimore shitje dhe blerje e simuluar e artikujve, shërbimeve apo sendeve.

Pasi dy të pandehurit ia sollën substancën narkotike I.M. që ishte me policin, njësia mbështetëse e Policisë së Kosovës intervenoi duke e arrestuar I.M. teksa dy të dyshuarit e tjerë janë arratisur.


Kërkohet paraburgim për shtetasin e Maqedonisë së Veriut që u kap me mbi 6 kg heroinë

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit I.M., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje pa autorizim kanë transportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, substancë narkotike të dyshuar si heroinë me peshë të përgjithshme 6 kilogramë e 137 gramë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.08.2024, në bashkëkryerje, pa autorizim kanë transportuar nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, substancë narkotike të dyshuar si heroinë.

Me veturën e markës ‘Audi’, të pandehurit U.B., dhe M.Sh., lëndën narkotike të dyshuar si heroinë, me peshë të përgjithshme: 6 kilogramë e 137 gramë (6.137.06 gr) e kanë transportuar përmes vendkalimit kufitar Hani Elezit, kurse i pandehuri I.M., me veturën e tij të markës Golf + i ka pritur në parkingun e ndërmarrjes tregtare ‘Viva Fresh’ në Han të Elezit, kështu që rreth orës 20:30 min, të pandehurit U.B., dhe M.Sh.,  e kanë sjellë lëndën narkotike me veturën ‘Audi’ afër veturës “Golf” , me ç’rast i pandehuri I.M., del nga vetura e tij dhe e merr lëndën narkotike nga vetura ‘Audi’ dhe kthehet me veturën e tij me qëllim që ta dorëzoj te blerësi i simuluar, mirëpo intervenojnë njësitë mbështetëse të policisë të cilat e arrestojnë të pandehurin I.M., si dhe e sekuestrojnë veturën “Golf “ +  dhe lëndën narkotike, kurse të pandehurit U.B., dhe M.Sh., me veturën ‘Audi’ largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes kurse rreth orës 21:00 kalojnë në pikën kufitare  Glloboqicë në Republikën e Maqedonisë  së Veriut, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar i narkotikëve , substancave psikotrope ose analoge”  nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me nenin 31  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

I pandehuri me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Gusht, 2024 19:28