Macron: Arrestimi i presidentit të Telegramit nuk është vendim politik
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se arrestimi i Pavel Durovit, president i Telegramit, nuk ishte politik.
Macron në një shkrim në platformën ‘X’, ka shkruar se ka parë informacione të rreme në lidhje me Francën pas arrestimit të Pavel Durov.
“Franca është thellësisht e përkushtuar ndaj lirisë së shprehjes dhe komunikimit, ndaj inovacionit dhe frymës së sipërmarrjes. Kështu do të mbetet”, ka shkruar Macron.
Ai shtoi se në një shtet të së drejtës, liritë ruhen brenda një kuadri ligjor, si në mediet sociale ashtu edhe në jetën reale, për të mbrojtur qytetarët dhe për të respektuar të drejtat e tyre themelore.
“I takon gjyqësorit, në pavarësi të plotë, të zbatojë ligjin”, shtoi më tej presidenti Macron.
Sipas tij, arrestimi i presidentit të Telegram në tokën franceze u bë në kuadër të një hetimi gjyqësor në vazhdim. “Nuk është në asnjë mënyrë një vendim politik. Është në dorën e gjyqtarëve që të vendosin për këtë çështje”, ka shkruar Macron.
Ndryshe, Durov u ndalua në aeroportin Bourget, në periferi të Parisit, më 24 gusht, dhe ende po merret në pyetje.
















