Flaka thumbon: Të dielën u njollosën dy këmisha të bardha të VLEN-it
Shkup, e diel, me diell… por me njolla.
VLEN-i këto ditë hapi zyrtarisht Shtabin Zgjedhor në Çair, me solemnitet, buzëqeshje dhe – siç e do zakoni i politikanëve kristalë – këmisha të bardha si simbol i pastërtisë morale dhe integritetit të fushatës.
Por fati i të dielës nuk ishte me detergjent. Dy njolla, njëra në Shkup, tjetra në Kumanovë, ua prishën imazhin të bardhëve.
Në Shkup, Danella Arsovska – e cila duket se ka nisur pastrimin urban me stil investigativ – publikoi një video përballë një ndërtese 12-katëshe në Çair. Sipas saj, kjo kullë është ngritur pa leje, pa projekt, pa infrastrukturë e me guxim të pamatë, ndërsa u lidh “fshehtas” me ujësjellësin dhe rrjetin e energjisë, si një vjedhës që futet në frigorifer pa leje. Faji? Sipas Danellës, mbetet te Visar Ganiu dhe Izet Mexhiti, që – për habi – kishin veshur të bardha po atë ditë.
Në Kumanovë, një tjetër “detergjent politik” shpërtheu. Mensur Bajrami, aktivist i Alternativës, nuk duroi më dhe publikoi një postim publik, ku kërkonte me ton alarmant që Zeqirija Ibrahimi dhe Bashkim Murtezi të dalin e të tregojnë “kush po vjedh tenderët në Kumanovë”, madje edhe për “shtëpinë e Shëndetit”! Postimi u hodh në rrjet nga faqja zyrtare e Alternativës – dhe pastaj ndodhi ajo që ndodh gjithmonë: kush s’kishte parë, tani pa, dhe kush nuk kishte dëgjuar, filloi të flasë.
Dy raste, një e diel, dhe një simbolikë e përbashkët: dy këmisha të bardha, që tani kërkojnë larje në ujë të ftohtë.
Në Flaka i kemi larë me satirë. Ju vendosni a do t’i vendosni për tharje apo për hekurosje.
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media














