Bullgaria kritikon narrativën e identitetit maqedonas
Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka publikuar një reagim zyrtar në lidhje me raportin e miratuar nga Komiteti për Punë të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut. Në deklaratën, që është pothuajse identike me atë të shefit të diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, Bullgaria mirëpret vendosmërinë e eurodeputetëve për të mos u përfshirë, siç thuhet, në “narrativa spekulative nacionaliste” mbi identitetin maqedonas.
Sipas deklaratës, “të tilla narrativa bien ndesh me vlerat evropiane të përfshirjes dhe lëndojnë ndjenjat e bullgarëve dhe të komuniteteve të tjera në Maqedoninë e Veriut”. Ministria bullgare nënvizon se ajo nuk kundërshton identitetet moderne individuale, por thekson se autoritetet në Shkup po e përdorin këtë qëndrim në mënyrë manipuluese, për të shmangur detyrimet ndërkombëtare – një qasje që sipas saj, ka ndikuar negativisht në ecurinë e integrimit evropian të vendit.
Në reagim ndaj kësaj deklarate, zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i lartë i pushtetit aktual në Shkup, Timço Mucunski, nga Samiti i NATO-s në Hagë, u shpreh i shqetësuar për rolin e Bullgarisë në zhvillimet rajonale:
“Më vjen keq që qeveria bullgare dhe eurodeputetët e saj po kontribuojnë në narrativën ruse për destabilizimin e Ballkanit. Kjo është e rrezikshme.”
Reagimi bullgar vjen në një kohë kyçe për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Vendit i kërkohet të miratojë ndryshimet kushtetuese, përfshirë shtimin e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë – një kusht i përcaktuar në propozimin francez, i miratuar nga Kuvendi maqedonas më 16 korrik 2022, pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme që sot është në pushtet.
Pavarësisht se negociatat me BE-në janë hapur formalisht me konferencën e parë ndërqeveritare më 19 korrik 2022, ato nuk mund të avancojnë pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që kërkojnë shumicën prej dy të tretash në Kuvend.
Situata paraqet sfida serioze jo vetëm për rrugën evropiane të vendit, por edhe për stabilitetin ndërfqinjësor dhe bashkëjetesën e brendshme politike.
















