Shaqiri: Procedura e tenderit për “Sheshin Skënderbeu – parkingu nëntokësor ” është anuluar për arsye teknike
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar pas lajmeve në media për anulimin e projektit “Sheshi Skënderbeu – faza 3, parkingu nëntokësor”, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një ndërprerje teknike të procedurës së prokurimit.
Në një deklaratë për opinionin publik, Zekolli Shaqiri sqaroi se anulimi nuk lidhet me ndonjë vendim për të hequr dorë nga projekti, por me mospërputhje të vërejtura gjatë kontrollit të dokumentacionit të tenderit.
“Gjatë verifikimit zyrtar u konstatuan mospërputhje dhe gabime të trashëguara në përllogaritje, të cilat kërkojnë korrigjim para vazhdimit të procedurës, me qëllim sigurimin e transparencës dhe respektimit të plotë të ligjit,” theksoi ajo.
Sipas zëvendësministres, anulimi bëhet ekskluzivisht për arsye teknike, me synimin që dokumentacioni të përmirësohet para rihapjes së tenderit.
“Është marrë vendimi për anulim teknik të procedurës, që nënkupton përmirësimin e dokumentacionit dhe rihapjen e tenderit. Theksojmë se projekti nuk anulohet,” deklaroi Zekolli Shaqiri.
Ajo shtoi se procedura e re e prokurimit pritet të hapet sërish në ditët në vijim.
“Përmirësimi teknik ka për qëllim vetëm garantimin profesional dhe të qëndrueshëm,” u shpreh zëvendësministrja. Gazeta Flaka














