Mickoski rizgjidhet lider dhe paralajmëron boom ekonomik – LSDM i plas “bombën” për korrupsion!
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut po hyn në një fazë të re të debatit publik, mes thirrjeve për transformim ekonomik nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe akuzave të reja të opozitës për korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit, shkruan Gazeta Flaka
Në konventën e VMRO-DPMNE-së të mbajtur në Kavadar, ku u rizgjodh në krye të partisë, Mickoski theksoi se deri në vitin 2030 vendi duhet të bëjë një kthesë historike – nga modeli ekonomik i bazuar në punë të lirë dhe efikasitet të ulët, drejt një ekonomie të mbështetur në ekspertizë, inovacion dhe vlerë të lartë të shtuar.
“Duhet të dalim nga modeli i vjetër i varësisë nga importet dhe të ndërtojmë ekonomi të bazuar në dije dhe teknologji”, tha Mickoski, duke shtuar se sektori i ICT-së, bioteknologjia, farmaceutika, inxhinieria dhe industritë kreative duhet të bëhen boshti i ekonomisë së re.
Ai theksoi nevojën për modernizim përmes digjitalizimit, automatizimit, parqeve teknologjike dhe krijimit të vendeve të punës me vlerë të lartë të shtuar, ndërsa theksoi se kompanitë vendase duhet të kenë më shumë mbështetje institucionale dhe stabilitet fiskal.
“Asnjë kompani nuk investon në një shtet ku rregullat tatimore ndryshohen çdo ditë. Besimi ndërtohet me qëndrueshmëri, qartësi dhe transparencë”, deklaroi ai.
Mickoski foli edhe për rëndësinë e ekonomisë së gjelbër, investimeve në energji të rinovueshme dhe forcimin e institucioneve, duke prezantuar 10 parimet e tij të udhëheqjes moderne, që nga “dija si kapitali më i lartë” e deri te “teknologjia dhe qëndrueshmëria si motorë të progresit”.
LSDM del me akuza të rënda: 5.5 milionë euro tenderë për familjen Tomovski
Ndërkohë, opozita maqedonase LSDM publikoi sot në një konferencë për media një set të ri akuzash të cilat i quajti “bombë e re” ndaj pushtetit. Në fokus ishte Ivica Tomovski, drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë dhe zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së.
Sipas LSDM-së, kompania familjare e Tomovskit ka përfituar 5 milionë e 360 mijë euro nga institucionet shtetërore dhe komunat e udhëhequra nga VMRO-DPMNE, përmes 161 tenderëve, shumë prej të cilëve, siç pretendon opozita, janë dhënë në mënyrë të dyshimtë.
“Kush dhe si po ‘pastron’? Të gjitha rrugët të çojnë te Ivica Tomovski dhe kompania e tij familjare. Ata po pastrojnë paratë e qytetarëve – miliona euro”, tha LSDM në konferencë.
Opozita theksoi se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, kompania në fjalë e ka rritur aktivitetin e biznesit me 306%, ndërsa vetëm në vitin 2025 ka marrë 10 tenderë të rinj me vlerë gati për gjysmë milioni euro.
LSDM publikoi edhe të dhëna për ndryshimin e emrit të kompanisë nga “City Logistics” në “City Outsourcing”, duke pretenduar se struktura e biznesit është e njëjtë, me të njëjtën adresë dhe të njëjtin numër regjistrimi.
“E rëndësishme është se bizneset familjare po rrjedhin. Dhe ku përfundojnë paratë, përveçse në xhepat e familjes Tomovski? Së shpejti do ta zbulojmë në bombat e ardhshme. Ne sapo kemi filluar”, përfundoi LSDM, duke shtuar se qytetarët po e mbështesin këtë “front kundër korrupsionit”. Gazeta Flaka














