Skandal i ri me librat shkollorë, Kosova quhet Metohi dhe pjesë e territorit të Serbisë
Një foto e shpërndarë në rrjetet sociale ka shkaktuar një skandal të madh sa i përket arsimit në Maqedoninë e Veriut. Analistja Nafie Selmani ka publikuar një foto ku shkruhet se Kosova quhet “Metohi” dhe se i përket territorit të Rerpublikës së Serbisë.
Ajo akuzon partinë në puishtet “VLEN” dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, pasi si dy aleatë, nuk do të duhej ta lejonin këtë gjë sipas saj.
“A është për burrat e VLEN-it Kosova – Kosovë, apo “Metohia”, ashtu siç figuron në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë, botim i vitit 2025?
Dhe a është i njoftuar për këtë emërtim mbështetësi i tyre më i madh politik, kryeministri i Kosovës, ai që shquhej për deklarata nacionaliste? A pajtohet edhe ai që Kosova qenka “Metohi”?
A nuk u vjen pak turp burrave të VLEN-it që nuk arrijnë të mbrojnë as gjënë më elementare të identitetit tonë kombëtar? Apo, sipas zakonit, fajin e ka sërish Ali Ahmeti, Taravari, ai, ata, unë…të gjithë vetëm ata nuk kanë faj?
Sa herë duhet t’ju poshtërojnë ata juve, pastaj ju neve, pastaj prapë ata juve, vetëm për atë kockë të vogël pushteti që ua kanë hedhur në sofrën e pushtetit?
A keni të paktën një grimcë guximi politik për të kërkuar tërheqjen e këtij botimi skandaloz, e të provoni se vërtet ekzistoni pak përtej rolit dekorativ në qeveri?”, shkruan Selmani.
Një pjesë të Kosovës, Serbia e quan “Metohi” me simbolike politike dhe fetare duke e konsideruar si pjesë të saj. Këtë pretendim të Serbisë e pasqyron libri zyrtar i Gjeografisë në shkollat shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, shkruan Top Channel, transmeton Gazeta Flaka.
Sakaq, Selmani në një lidhje live në Euronews Albania e ka cilësuar këtë një skandal dhe një gabim të rëndë. Ajo theksoi se botimi i librit të gjeografisë së klasës së 7-të është publikuar në gushtin e këtij viti dhe se termi Metohi është një gabim i rëndë identitar.
“Teksti është i librit të gjeografisë konkretisht të klasës së 7-të. Fotoja erdhi nga një prind i shqetësuar nga ky skandal sepse nuk mund ta llogarisim një lapsus të tillë pasi libri është publikuar në gusht 2025 dhe i ka kaluar të gjitha filtrave që kërkohen konform i ligjeve aktuale të Maqedonisë së Veriut. Rajonit të Dukagjinit i referohet si Metohi dhe është një gabim i rëndë historik dhe identitar”, u shpreh ajo. Gazeta Flaka














