Aksion i madh policor në Kumanovë, në shënjestër një grup i dyshuar kriminal
Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar në Kumanovë, ku që në orët e mëngjesit është vërejtur prani e shtuar e forcave speciale policore në disa pjesë të qytetit.
Sipas informacioneve jozyrtare, aksioni po zhvillohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike, me qëllim të goditjes së një grupi të dyshuar kriminal, anëtarët e të cilit njihen për aktivitetet e tyre në skenën kriminale të Kumanovës.
Dyshimet hetimore janë se grupi ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore, jo vetëm në Kumanovë, por edhe në zona të tjera, duke ushtruar presion përmes dhunës, kërcënimeve dhe shantazheve.
Në mesin e veprave për të cilat dyshohet grupi përfshihen zhvatja, fajdeja, si dhe pastrimi i parave dhe i të ardhurave të siguruara nga aktivitete të paligjshme.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se si organizator i dyshuar i grupit përmendet një person me nofkën „Shtuka“, ndërsa në aktivitetet e tij dyshohet se janë përfshirë edhe disa persona të tjerë nga Kumanova.
Deri në publikimin e këtij informacioni, nuk ka konfirmim zyrtar për numrin e personave të përfshirë, arrestimet eventuale apo detajet e operacionit.
Flaka do të përcjellë zhvillimet e mëtejshme të aksionit.











