Arsim Dalipi zgjidhet kryetar i Degës së Lidhjes Shqiptare në Strugë
Arsim Dalipi ka marrë drejtimin e Degës së Lidhjes Shqiptare në Strugë, pas besimit të dhënë nga anëtarët e Kuvendit të Degës.
Dalipi ka bërë të ditur se zgjedhjen e tij në këtë funksion e konsideron përgjegjësi që duhet dëshmuar përmes punës, ndershmërisë dhe përkushtimit.
„E pranoj këtë detyrë me përulësi, mirënjohje dhe vetëdijen se besimi nuk është vetëm një vlerësim, por mbi të gjitha një përgjegjësi që duhet arsyetuar me punë, ndershmëri dhe përkushtim”, ka deklaruar Dalipi.
Duke kujtuar angazhimin e tij gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, ai ka theksuar se takimet me qytetarët dhe dëgjimi i shqetësimeve të tyre kanë qenë ndër përvojat më të rëndësishme të këtij rrugëtimi.
„Nga ai rrugëtim ruaj mbi të gjitha respektin, sinqeritetin dhe mbështetjen e njerëzve që na qëndruan pranë, të cilëve u jam veçanërisht mirënjohës”, është shprehur ai.
Dalipi, me profesion mjek, ka theksuar se të njëjtat parime që udhëheqin punën e tij profesionale synon t’i zbatojë edhe në angazhimin politik dhe publik.
Ai ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit, punës ekipore dhe përfshirjes së të rinjve, duke shprehur synimin për të ndërtuar një degë të hapur dhe bashkuese.
„Dëshiroj të ndërtojmë një degë të hapur dhe bashkuese, ku secili të ndihet i respektuar, ku përvoja të bashkohet me energjinë e të rinjve dhe ku të gjithë të kenë mundësi të kontribuojnë”, ka theksuar Dalipi.
Në fund, kryetari i ri i Degës së Lidhjes Shqiptare në Strugë ka theksuar se prioritet do të jetë puna konkrete në interes të qytetarëve, pa premtime të mëdha, por me përkushtim të dëshmuar përmes veprave.
„Funksionet janë të përkohshme, por puna, marrëdhëniet njerëzore dhe respekti që ndërtojmë mbeten”, ka përfunduar Dalipi, duke falënderuar anëtarët për besimin dhe mbështetjen. Gazeta Flaka











