Artin Spahiu ironizon VLEN-in për Artan Grubin: “Dosti im paska qenë baba!”
Artin Spahiu ka reaguar me ironi ndaj deklaratave të VLEN-it për ish-zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, dhe dokumenteve që lidhen me shitjen e aksioneve të Stopanska Bankës së Manastirit.
Në reagimin e tij, Spahiu vë në pikëpyetje mënyrën se si VLEN po e interpreton rolin e Grubit në vendimet e Qeverisë së kaluar, duke theksuar se vetë deklaratat e përfaqësuesve të koalicionit po e paraqesin atë si figurë qendrore në udhëheqjen e seancave dhe nënshkrimin e vendimeve qeveritare.
Në reagimin e publikuar, Spahiu përdor ironi dhe sarkazëm, duke iu drejtuar VLEN-it me pyetjen se çfarë vendimesh dhe seancash ka udhëhequr vetë koalicioni aktual, përveç atyre që lidhen me Alta Bankën.
Ai ironizon edhe pretendimin se Grubi, edhe kur nuk ishte më në pushtet, paska pasur ndikim mbi vendimet e Qeverisë aktuale, duke e përmbyllur reagimin me shprehjen: “E dija që ishe i fortë sa ishte BDI-ja, ama që edhe VLEN-in po e bëke zbor, këtë s’e disha! Respekt!”
Reagimi i Spahiut vjen në një kohë kur VLEN dhe BDI po shkëmbejnë akuza për përgjegjësinë politike dhe institucionale në procesin e shitjes së Stopanska Bankës dhe marrjes së saj nga Alta Banka e Beogradit. Flaka














