BDI mohon pretendimet e Stojanovskës: Asnjë takim, as oferta, as pazare politike me Ahmetin
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetes së VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, duke i cilësuar pretendimet e saj si të pavërteta dhe tendencioze.
“Në gjithë atë përzierje kujtimesh, deklarata e Dafina Stojanovskës duket më shumë si konfuzion personal sesa si fakt politik. Në lëvizjen mes dhjetëra banesave që ajo i posedon, duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti mohojnë kategorikisht se ka pasur ndonjë takim apo ofertë politike mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe deputetes së VMRO-DPMNE-së.
“Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën,” thekson BDI.
Reagimi vjen pasi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, deklaroi publikisht se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte pranuar të hyjë në Qeveri pa kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit dhe me një numër më të vogël ministrash krahasuar me koalicionin VLEN, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri.
Sipas Stojanoskës, këto bisedime, siç pretendon ajo, janë zhvilluar në zyrën e saj – pretendim që BDI e mohon në tërësi. Gazeta Flaka
















