Digjen disa kontejnerë në Shkup, Gjorgjievski kërkon hetim nga MPB-ja
Disa kontejnerë për mbeturina janë djegur mbrëmjen e kaluar në lagjen Novo Lisiche dhe në bulevardin “Brigada Maqedono-Kosovare” në Shkup. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kërkoi reagim të menjëhershëm nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe identifikimin e autorëve.
“E ftoj MPB-në që menjëherë të kontrollojë incizimet nga sistemi ‘Safe City’, të gjejë autorët dhe të hetojë nëse djegiet janë të organizuara dhe me motive politike. Kërkoj përgjegjësi!”, ka shkruar Gjorgjievski.
Ai vlerësoi se djegia e kontejnerëve paraqet dëmtim të pronës së përbashkët të qytetarëve.
“Sipas tij, kjo ndodh në një kohë kur qyteti ka siguruar 3.300 kontejnerë të rinj dhe ka zgjidhur problemin me mbeturinat. Gjorgjievski pretendon se dikujt nuk i përshtatet një Shkup i pastër dhe zhvillimi i qytetit.
‘Ky është një dëm ndaj të gjithë shkupjanëve dhe pronës së përbashkët, të paguar me paratë e tyre. Nëse dikush mendon se me këtë po më shkakton mua personalisht dëm, gabon! Dëm po i shkakton qytetit, sepse këta kontejnerë janë blerë me paratë e shkupjanëve’, ka theksuar kryetari.
Gjorgjievski paralajmëroi se së shpejti do të përfundojë vendosja e 200 kamerave të qytetit, të cilat sipas tij do të mundësojnë mbikëqyrje më të madhe dhe identifikim më të lehtë të rasteve të tilla.
“Nuk do të lejojmë që dikush të luajë me qytetin. Me ligjet nuk luhet”, ka porositur Gjorgjievski. Flaka














