Gostivari meriton fakte, jo vetëm njoftime
Nga Pajtim Saiti
Në ditët e fundit, Gostivari është përballur me një nga krizat më serioze të shëndetit publik në historinë e tij të afërt. Mijëra qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma gastrointestinale, ndërsa autoritetet kanë shpallur epidemi dhe kanë ndaluar përdorimin e ujit nga rrjeti publik për pije. Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar mbi 3.000 paraqitje të qytetarëve në institucionet shëndetësore.
Si qytetar, nuk e vë në dyshim nevojën që institucionet të reagojnë me vendosmëri kur ekziston rrezik për shëndetin publik. Nëse uji është i kontaminuar, mbrojtja e qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut. Por pikërisht për shkak të seriozitetit të situatës, mendoj se qytetarët meritojnë më shumë sesa deklarata të përgjithshme. Meritojnë fakte, të dhëna dhe transparencë të plotë.
Çfarë dimë deri tani?
Sipas Prokurorisë Themelore Publike të Gostivarit, tre persona dyshohen se kanë urdhëruar vendosjen e tre pompave në afërsi të sistemit të furnizimit me ujë. Gjatë kontrollit të kryer më 16 korrik, dy prej pompave janë gjetur ende në funksion. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, përmes tyre është futur ujë nga një kanal i hapur në sistemin e ujit të pijshëm. Në mostrat e marra janë konstatuar nivele të larta të baktereve koliforme si në kanalin e hapur ashtu edhe në sistemin e furnizimit.
Po sipas Prokurorisë, pompat janë vendosur më 25 qershor dhe kanë qenë të pranishme në sistem deri në momentin e inspektimit. Për këtë arsye janë hapur procedura penale ndaj ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, drejtorit teknik dhe përgjegjësit të sektorit të ujësjellësit.
Nëse këto pretendime konfirmohen gjatë procedurës hetimore dhe gjyqësore, atëherë kemi të bëjmë me një ngjarje jashtëzakonisht serioze, e cila kërkon përgjegjësi të plotë institucionale dhe individuale.
Zhvillimet më të fundit
Rasti tashmë ka hyrë në një fazë më të avancuar procedurale. Gjykata Themelore në Gostivar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit për tre personat e dyshuar.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se analizat laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik kanë konstatuar prani të lartë të baktereve koliforme në mostrat e marra nga kanali i hapur dhe prani të koliformëve edhe në mostrat e marra nga sistemi i ujit të pijshëm. Në disa mostra është konstatuar edhe nivel i rritur i klorit rezidual.
Megjithatë, një element i rëndësishëm që kërkon sqarim publik është fakti se sipas vetë njoftimit të Prokurorisë, në mostrën e marrë nga një çezmë në qytet nuk është raportuar prani e baktereve koliforme, por është konstatuar vetëm nivel i rritur i klorit rezidual.
Kjo ngre pyetjen nëse ndotja mikrobiologjike e konstatuar në sistem ka arritur në të njëjtën masë deri te konsumatori fundor në të gjitha zonat e qytetit, apo nëse masat intensive të klorinimit kanë ndikuar në eliminimin e saj në disa pjesë të rrjetit.
Një element që kërkon sqarim shtesë
Në debatin publik ka dalë edhe një element tjetër që meriton vëmendje.
Sipas deklaratës së fundit publike të ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, pompat janë përdorur më 25 qershor për testimin e presionit në rrjet. Një pretendim i ngjashëm gjendet edhe në njoftimin zyrtar të publikuar nga vetë ndërmarrja, ku qytetarët informoheshin se po kryheshin aktivitete teknike për përmirësimin dhe rritjen e presionit të ujit dhe se, si pasojë e këtyre punimeve, uji nuk duhej të përdorej për pije deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Nga ana tjetër, Prokuroria pretendon se pompat janë vendosur më 25 qershor dhe se dy prej tyre janë gjetur aktive më 16 korrik. Megjithatë, deri tani nuk është bërë publike nëse pompat kanë punuar vazhdimisht gjatë gjithë kësaj periudhe, sa orë në ditë kanë qenë aktive dhe sa ujë është transferuar realisht në sistem.
Ky është një detaj me rëndësi të madhe teknike.
Ekziston një dallim i madh mes pompave që përdoren për një testim të kufizuar teknik dhe pompave që furnizojnë sistemin për një periudhë të gjatë kohore.
Kronologjia e analizave kërkon sqarim të plotë
Një nga paqartësitë më të mëdha në të gjithë këtë rast lidhet me kronologjinë e analizave të ujit.
Sipas deklaratës së drejtorit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, raporti i fundit që institucioni kishte marrë nga Qendra e Shëndetit Publik Tetovë ishte i datës 13 korrik, dhe sipas atij raporti uji kishte rezultuar i sigurt për përdorim. Po ashtu, sipas të njëjtave informacione, një raport i ngjashëm që e konsideronte ujin të rregullt ishte lëshuar edhe më 29 qershor. Ndërkohë, vetëm një ditë më vonë, më 14 korrik, nisi vala e parë e pacientëve me simptoma gastrointestinale në Gostivar.
Kjo krijon një situatë që kërkon sqarim të plotë institucional.
Sipas Prokurorisë, pompat dyshohet se janë vendosur më 25 qershor, ndërsa dy prej tyre janë gjetur ende aktive gjatë kontrollit të kryer më 16 korrik. Nga ana tjetër, ekzistojnë dy raporte të veçanta, një më 29 qershor dhe një tjetër më 13 korrik, sipas të cilave uji ka rezultuar i sigurt për përdorim.
Prandaj lindin disa pyetje krejtësisht legjitime:
Si është e mundur që uji të rezultojë i rregullt më 29 qershor?
Si është e mundur që uji të rezultojë i rregullt edhe më 13 korrik?
Kur është konstatuar për herë të parë ndotja mikrobiologjike që sot përmendet nga Prokuroria?
A janë marrë mostrat e 29 qershorit dhe 13 korrikut në të njëjtat lokacione ku janë marrë mostrat që më vonë rezultuan problematike?
A kemi të bëjmë me një ndotje të vazhdueshme gjatë gjithë periudhës apo me një ndotje që është shfaqur në një moment të caktuar pas analizave të fundit pozitive?
A ekziston një kronologji e plotë laboratorike nga 25 qershori deri në ditën kur u shpall epidemia?
Nëse qytetarët kanë marrë dy herë garanci zyrtare se uji ishte i sigurt për konsum, atëherë është në interes të të gjithëve që institucionet të publikojnë të gjitha raportet laboratorike, datat e marrjes së mostrave dhe lokacionet ku ato janë marrë.
Çfarë thotë Master Plani i ujësjellësit?
Për të kuptuar përmasat e çështjes, duhet parë edhe dokumentacioni teknik.
Master Plani i ujësjellësit të Gostivarit është hartuar nga kompania zvicerane SGI Ingénierie SA dhe përbën dokumentin bazë për zhvillimin e sistemit deri në vitin 2040.
Sipas këtij plani, burimi kryesor i furnizimit është Vrutoku, me kapacitet prej 400 deri në 1200 litra në sekondë.
Po sipas projeksioneve të Master Planit, për vitin 2026 nevoja e sistemit është afërsisht 30.000 metra kub ujë në ditë, ose rreth 350 litra në sekondë.
Kjo do të thotë se në pesë ditë nëpër rrjet qarkullojnë rreth 151.200 metra kub ujë.
Në të njëjtin dokument përmenden edhe rezervuarët kryesorë të sistemit me kapacitet total prej rreth 6.900 metra kub.
Këto të dhëna nuk vërtetojnë dhe as mohojnë ndotjen. Por ato ndihmojnë qytetarët të kuptojnë më mirë përmasat reale të sistemit.
Kjo ngre një pyetje të arsyeshme teknike: nëse sipas projeksioneve të Master Planit në pesë ditë nëpër rrjet qarkullojnë mbi 151 mijë metra kub ujë, a tregojnë analizat më të fundit se kontaminimi vazhdon ende në sistem, apo kemi të bëjmë kryesisht me pasojat e ekspozimit që ka ndodhur më herët?
Një pyetje tjetër po aq e rëndësishme është: pse ka qenë e nevojshme vendosja e pompave shtesë për të rritur presionin ose sasinë e ujit në sistem, nëse sipas Master Planit burimi i Vrutokut disponon kapacitet prej 400 deri në 1200 litra në sekondë, ndërsa nevoja e parashikuar e sistemit për vitin 2026 është rreth 350 litra në sekondë?
A ka pasur mungesë reale të ujit në burim, apo problemi ka qenë i natyrës teknike brenda rrjetit të shpërndarjes?
Pyetjet që qytetarët kanë të drejtë t’i bëjnë
Kur janë marrë mostrat e para dhe të fundit?
Cilat janë rezultatet e analizave më të fundit?
Në cilat pika të rrjetit është konstatuar ndotja mikrobiologjike?
Cilat janë rezultatet e mostrave të marra nga çezmat e konsumatorëve?
A është konstatuar prani e baktereve koliforme në pikat fundore të rrjetit apo vetëm në segmente të caktuara të sistemit?
A po përmirësohet gjendja ditë pas dite?
Sa është sasia reale e ujit që është futur në sistem përmes pompave?
Sa orë në ditë kanë funksionuar pompat nga 25 qershori deri më 16 korrik?
Cili është vëllimi total i ujit të transferuar dhe çfarë përqindje të furnizimit të qytetit përfaqëson ai?
Nëse analizat e datës 29 qershor e shpallnin ujin të sigurt për konsum, çfarë treguan konkretisht ato analiza?
Nëse analizat e datës 13 korrik e shpallnin sërish ujin të sigurt për konsum, kur është paraqitur mostra e parë që rezultoi jashtë standardeve?
A kanë qenë mostrat e 29 qershorit, 13 korrikut dhe ato të marra pas shpërthimit të epidemisë nga të njëjtat pika të rrjetit?
Si shpjegohet mospërputhja ndërmjet analizave që e konsideronin ujin të sigurt dhe gjetjeve të mëvonshme që çuan në ndalimin e përdorimit të ujit?
A ekziston një analizë epidemiologjike që e lidh drejtpërdrejt ndotjen e konstatuar me mbi 3.000 rastet e raportuara?
Kur pritet që qytetarët të informohen zyrtarisht nëse uji është sërish i sigurt për konsum?
Transparencë edhe për procedurën penale
Prokuroria ka njoftuar për paraburgimin e tre personave dhe zhvillimin e procedurës hetimore.
Por po aq e rëndësishme është që qytetarët të informohen mbi bazën e provave teknike dhe shkencore që mbështesin këto dyshime.
Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Por, njëkohësisht, askush nuk duhet të shpallet fajtor para se hetimi të përfundojë dhe gjykata të japë vendimin e saj përfundimtar.
Drejtësi, por edhe proporcionalitet
Nëse hetimi do të vërtetojë se janë bërë gabime, shkelje apo veprime që kanë rrezikuar shëndetin e qytetarëve, atëherë përgjegjësia duhet të vendoset dhe ligji duhet të zbatohet. Kjo është e padiskutueshme.
Megjithatë, po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si zbatohet drejtësia.
Sot në paraburgim ndodhen një grua dhe dy të rinj, persona me funksione drejtuese në një institucion publik, të cilët ende gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.
Për këtë arsye, shumë qytetarë shtrojnë një pyetje të thjeshtë:
A ishte paraburgimi masa e vetme e mundshme?
A nuk mund të zbatoheshin masa më të buta sigurie, si paraburgimi shtëpiak, paraqitja periodike para organeve kompetente ose masa të tjera të parashikuara me ligj, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona me identitet të njohur, vendbanim të njohur dhe pa rrezik të qartë arratisjeje?
Dhe një pyetje tjetër që po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në opinion:
A po kërkohet thjesht drejtësi, apo po kërkohet të jepet një shembull force?
Gostivari nuk ka nevojë për spektakël. Gostivari ka nevojë për të vërtetën.
Qytetarët kanë nevojë të dinë se çfarë ka ndodhur me ujin, kur ka ndodhur, si ka ndodhur dhe kush mban përgjegjësi. Por po aq kanë nevojë të shohin një proces transparent, profesional dhe të drejtë, ku faktet flasin më fort se emocionet, politika apo presioni publik.
Besimi ndërtohet me fakte
Në një situatë që ka prekur mijëra qytetarë, nuk mjaftojnë deklaratat politike, konferencat për shtyp apo njoftimet e shkurtra institucionale.
Institucionet duhet të publikojnë:
raportet e plota laboratorike;
rezultatet e analizave mikrobiologjike;
lokacionet ku janë marrë mostrat;
ekspertizat teknike;
analizat epidemiologjike;
kronologjinë e plotë të analizave nga 25 qershori deri në shpalljen e epidemisë;
dhe përfundimet përfundimtare të hetimit.
Vetëm në këtë mënyrë qytetarët do të kuptojnë qartë se çfarë ka ndodhur, sa serioze ka qenë situata dhe çfarë garancish ekzistojnë që një rast i tillë të mos përsëritet më.
Sepse kur bëhet fjalë për shëndetin publik, besimi nuk fitohet me deklarata. Besimi fitohet me transparencë, përgjegjësi dhe fakte.
















