Komisioni historik Maqedoni–Bullgari përfundon pa rezultate, ngec mosmarrëveshja për Kryepeshkopatën e Ohrit
Takimi i pestë i Komisionit të Përbashkët Multidisiplinar të Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore, i mbajtur më 5 dhe 6 nëntor në Shkup, ka përfunduar pa marrëveshje konkrete. Në fokus mbeten mospajtimet për trajtimin e Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore, ndërsa propozimi për përkujtimin e përbashkët të revolucionarit Damjan Gruev nuk ka marrë përgjigje nga pala maqedonase.
Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë vazhdon të përballet me ngecje në punën e tij. Takimi i fundit, i zhvilluar më 5 dhe 6 nëntor në Shkup, ka përfunduar pa rezultate, raportoi Agjencia Bullgare e Telegrafisë (BTA), duke iu referuar informacioneve të publikuara nga mediat bullgare.
Sipas raportimit, historianët bullgarë nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët me kolegët e tyre nga Maqedonia e Veriut lidhur me mënyrën e paraqitjes së Kryepeshkopatës së Ohrit në tekstet shkollore të historisë.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte propozimi bullgar për shënimin e përbashkët të 120-vjetorit të vdekjes së revolucionarit Damjan Gruev, që shënohet në dhjetor të vitit 2026. Sipas të njëjtit burim, iniciativa e palës bullgare nuk ka marrë përgjigje nga përfaqësuesit maqedonas.
Në vend të saj, pala maqedonase ka prezantuar një tekst të përgatitur paraprakisht për shënimin e përbashkët të rezistencës kundër antisemitizmit, fashizmit dhe nacional-socializmit, e cila nisi në të dyja vendet në vitin 1941.
Përfaqësuesit bullgarë e kanë refuzuar këtë propozim, me argumentimin se rezistenca kundër këtyre ideologjive përkujtohet në të gjithë Evropën dhe se nuk duhet të kufizohet vetëm në një iniciativë dypalëshe. Ndërkohë, puna e Komisionit vazhdon të përqendrohet në çështjet historike të pazgjidhura, përfshirë ato që lidhen me shekullin XI.
Ky ishte takimi i pestë i Komisionit gjatë vitit 2026. Gjatë tij, historianët bullgarë kanë rikujtuar pritshmëritë e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian për arritjen e rezultateve të qarta dhe konkrete në punën e këtij mekanizmi.
Edhe raporti i Komisionit Evropian vëren se ndërmjet shtatorit 2025 dhe marsit 2026 janë zhvilluar katër takime të Komisionit, pa u arritur rezultate konkrete.
Takimi i radhës është paraparë të mbahet në fillim të dhjetorit në Sofje. Gazeta Flaka










