Kryeministër me qasje dikatoriale: Për Gostivarin kërkon përgjegjësi morale, për Koçanin kërkonte fajtorë diku tjetër
Editorial Flaka
Deklarata e Kryeministrit Hristijan Mickoski për rastin e ujit të pijshëm në Gostivar është një tjetër dëshmi e qasjes së tij selektive ndaj përgjegjësisë politike.
Sipas Mickoskit, nga kryetari i komunës e deri te çdo hallkë tjetër e zinxhirit përgjegjës, të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi morale për helmimin e qytetarëve të Gostivarit. Instituti i Shëndetit Publik, sipas tij, e ka bërë punën e vet, ndërsa tani pritet që Prokuroria Publike të përcaktojë përgjegjësinë penale.
“Duhet të mbajnë përgjegjësi morale nga i pari deri te i fundit”, deklaroi Mickoski, duke paralajmëruar se do të shqyrtohet përgjegjësia e të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në realizimin, mbikëqyrjen dhe pranimin e projektit të ujësjellësit.
Por pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a vlen i njëjti standard edhe për kryeministrin?
Sepse kur qytetarët e Gostivarit përballen me një situatë alarmante që lidhet me ujin e pijshëm, Kryeministri kërkon përgjegjësi morale “nga i pari deri te i fundit”. Por kur vendi përballet me një prej tragjedive më të mëdha të viteve të fundit, atëherë përgjegjësia morale duket se zhduket nga fjalori politik i Mickoskit.
Në tragjedinë e Koçanit, ku humbën jetën 61 persona, 59 prej tyre brenda asaj nate, viktima të moshës 16 deri në 48 vjeç, Mickoski nuk kërkoi të njëjtën përgjegjësi morale nga drejtuesit aktualë të institucioneve dhe dikastereve kompetente.
Në vend të kësaj, përgjegjësia u zhvendos te ish-ministrat, ish-drejtuesit dhe strukturat e mëparshme. Fajtorët kërkoheshin gjithkund, vetëm jo aty ku qytetarët prisnin përgjegjësi politike të drejtpërdrejtë.
Kjo është pikërisht hipokrizia e standardeve të dyfishta.
Në Gostivar, një rast që ende duhet të hetohet plotësisht dhe ku përgjegjësia duhet të përcaktohet nga institucionet kompetente, Kryeministri shfaqet si gjykatës politik dhe kërkon përgjegjësi morale që në krye të komunës.
Në Koçan, përballë një tragjedie me dhjetëra jetë të humbura, përgjegjësia morale e pushtetit aktual u zëvendësua me një gjueti politike ndaj ish-zyrtarëve.
Kjo nuk është drejtësi. Është selektivitet politik.
Dhe qasja bëhet edhe më shqetësuese kur Kryeministri përdor një gjuhë kërcënuese dhe arrogante ndaj kundërshtarëve politikë:
“Nuk do të ketë mëshirë, do t’i nxjerrim nga shtëpia… do t’i nxjerrim për veshi nga shtëpia.”
Kjo nuk është gjuhë e një kryeministri që duhet të jetë garant i institucioneve dhe i sundimit të ligjit. Është gjuhë e një pushteti që beson se mund të gjykojë, dënojë dhe poshtërojë publikisht, para se të flasin institucionet.
Kryeministri nuk është prokuror. Nuk është gjykatës. Dhe nuk është pronar i shtetit.
Nëse për Gostivarin kërkohet që “nga i pari deri te i fundit” të mbajë përgjegjësi morale, atëherë i njëjti standard duhet të vlejë për të gjithë. Edhe për kryeministrin. Edhe për ministrat. Edhe për drejtuesit aktualë të institucioneve.
Përgjegjësia nuk mund të jetë morale vetëm kur prek kundërshtarët politikë dhe politike vetëm kur prek të tjerët.
Qytetarët e Gostivarit kanë të drejtë të dinë të vërtetën për ujin që pinë. Hetimi duhet të jetë i plotë, profesional dhe pa ndërhyrje politike. Nëse ka përgjegjësi, ajo duhet të përcaktohet dhe të mbajë përgjegjësi kushdo që ka gabuar, pa dallim partie, funksioni apo pozite.
Por qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë të kërkojnë edhe një përgjigje tjetër nga Mickoski:
Nëse për një rast në Gostivar kërkon përgjegjësi morale “nga i pari deri te i fundit”, pse i njëjti parim nuk vlejti edhe për Koçanin?
Sepse përgjegjësia morale nuk mund të jetë armë politike kundër një komune, një kryetari apo një partie.
Ajo ose vlen për të gjithë, ose nuk është përgjegjësi morale.
Është vetëm pushtet i përdorur për hakmarrje politike.
















