Mexhiti: Kush humb ka të drejtë të hidhërohet
Ndërsa Fronti Europian ankohet për rivotimin e së mërkurës dhe ndërsa kritikojnë VLEN-in se nuk ka legjitimitet për të përfaqësuar shqiptarët, Izet Mexhiti u përgjigjet me një deklaratë, përcjell FLAKA.
“Ka një thënie, kush humbet ka të drejtë të hidhërohet. Por është mirë që ata të gjejnë faktorët e humbjes, është mirë që të reformohen, sepse po e dëmtojnë veten dhe askënd tjetër”, tha Mexhiti për Tv 21.
Mexhiti foli edhe për marrëveshjen e majit të vitit 2007, duke shtuar se marrëveshja parasheh që fituesi i kampit maqedonas të formojë qeveri me fituesin e kampit shqiptar. Sipas tij, BDI ka kaluar nga koncepti etnik në koncept multietnik dhe nuk është më pjesë e kampit të shqiptarëve.
“Në momentin kur VLEN është dashur të përballet me BDI-në, pas thirrjes së Ahmetit, ai për herë të parë ka ikur, ka braktisur konceptin etnik dhe ka kaluar në konceptin multietnik. Unë them se është legjitime, por në momentin që del me konceptin multietnik dhe kur deklaron se po garon në Superligë, po konkurron me VMRO DPMNE-në dhe LSDM-në, atëherë pret të finalizohen rezultatet. Konkluzioni i rezultateve është se VMRO-ja fitoi, dhe ju që konkurruat me VMRO-në humbët dhe po shkoni në opozitë. Tani që kjo nuk u pëlqen, Osmani dhe Ahmeti po tentojnë t’i kthehen konceptit etnik. Dhe këtu ka një problem sepse kur u arrit marrëveshja e majit në vitin 2007, unë isha në grupin që biseduam me VMRO-DPMNE-në dhe arritëm marrëveshjen e majit, që është fituesi shqiptar me fituesin maqedonas. Dhe në momentin kur keni një koalicion multietnik dhe apeloni në zërin e të gjithëve, nuk mund të jeni fitues në mesin e shqiptarëve”, thotë Mexhiti.
Sipas Mexhitit, fitues absolut në kampin shqiptar është VLEN, pasi ka fituar 107 mijë vota, duke shtuar se në Maqedoni nuk ka më shumë se 200 mijë vota të shqiptarëve për shkak të migrimit. FLAKA
















